Muharremi: LDK ka pësuar rënie, përgjegjësia për këtë është e lidershipit e jo e mediave – Të mos shndërrohen në një kopje të zbehtë të VV-së

Analisti politik, Shenoll Muharremi ka bërë një analizë të tij në lidhje me rënien e madhe që ka pësuar LDK në zgjedhje dhe reagimet e të parit të partisë, Lumir Abdixhiku. Ai ka thënë se sulmet e Abdixhikut ndaj gazetarëve, nuk e shpëtojnë LDK-në dhe se përgjegjësia për humbjen është e lidershipit e jo e…

Lajme

12/01/2026 09:26

Analisti politik, Shenoll Muharremi ka bërë një analizë të tij në lidhje me rënien e madhe që ka pësuar LDK në zgjedhje dhe reagimet e të parit të partisë, Lumir Abdixhiku.

Ai ka thënë se sulmet e Abdixhikut ndaj gazetarëve, nuk e shpëtojnë LDK-në dhe se përgjegjësia për humbjen është e lidershipit e jo e mediave, shkruan lajmi.net.

“Sulmi i Lumir Abdixhikut ndaj disa gazetarëve pas zgjedhjeve të fundit është një gabim serioz politik dhe një qasje që nuk i shërben as atij personalisht, as LDK-së. Pyetja themelore është, çfarë përgjegjësie dhe faji kanë disa gazetarë për rezultatet e dobëta të LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit? A e kanë menaxhuar gazetarët partinë dhe fushatën zgjedhore, apo lidershipi i saj?”, ka shkruar Muharremi.

Ai ka thënë se rezultatet janë të qarta dhe të pamohueshme, pasi që LDK sipas tij ka pësuar rënie të thellë, ndërsa kryetari i saj ka humbur rreth 60 mijë vota krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.

Muharremi ka thënë se kjo ka ndodhur pavarësisht që LDK dhe partia e tij kanë pasur një mbështetje të konsiderueshme mediale dhe publike.

“Dhjetë kandidatët e parë nga zgjedhjet e 9 shkurtit kanë rreth 100 mijë vota më pak. Kjo nuk është pasojë e gazetarëve, as e “mercenarëve”, por rezultat direkt i lidershipit, drejtimit dhe menaxhimit politik të LDK-së dhe fushatës. Në këtë kontekst, sulmi ndaj individëve që nuk mbajnë asnjë përgjegjësi reale është përpjekje për zhvendosje të fajit dhe shmangie nga reflektimi i domosdoshëm. Kjo qasje e dëmton rëndë seriozitetin politik të kryetarit dhe e thellon krizën e brendshme të partisë”, ka shtuar Muharremi.

Ai ka thënë se një lider që në vend së të marr përgjegjësinë, zgjedh të sulmoj të tjerët, rrezikon ta dëmtoj rënd kapitalin e vet politik.

“LDK-së nuk i duhet të shndërrohet në një kopje të zbehtë të LVV-së. Kosova tashmë ka një LVV shumë të fortë me mbi 50% të mbështetjes. Një “satelit” i vogël i saj nuk i shton asgjë skenës politike dhe as alternativave që vendit i nevojiten urgjentisht. Rruga e duhur përpara për LDK-në është dinjiteti, integriteti, stabiliteti dhe kompetenca, jo reagimet emocionale, jo luhatjet e shpeshta të qëndrimeve dhe jo eksperimentet politike pa bosht të qartë. Në këtë frymë, kryetari i LDK-së ka vetëm dy rrugë, ose të ruajë karrierën e tij politike duke reflektuar, duke marrë përgjegjësi dhe duke gjetur rrugë për të bashkuar partinë duke respektuar rezultatet e zgjedhjeve dhe gjendjen aktuale, ose të vazhdojë në një drejtim që rrezikon jo vetëm të ardhmen e tij, por edhe vetë LDK-në”, ka shtuar Muharremi.

Ai ka thënë se momentet që po kalon LDK, janë më kritiket në historinë e saj.

“Nga ky moment, ajo mund të rikthehet si alternativë serioze, ose të margjinalizohet përfundimisht. Prandaj, veprimet e këtyre ditëve duhet të udhëhiqen nga qetësia, maturia dhe përgjegjësia, jo nga emocioni dhe mllefi. LDK ka potencial, histori dhe rol të rëndësishëm për Kosovën. Por vetëm nëse lufton për kauzat e qytetarëve dhe jo për individë, dhe vetëm nëse ofron drejtim të qartë, të qëndrueshëm dhe të besueshëm”, ka shtuar mes tjerash ai. /Lajmi.net/

Postimi i plotë i tij: