Muhamet Musliu dënohet me një vit burg me kusht për nxitje të urrejtjes fetare – gjykata miraton marrëveshjen e fajësisë
Gjykata Themelore ka miratuar marrëveshjen e fajësisë të arritur ndërmjet Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit, Muhamet Musliu, i cili akuzohej për nxitje të përçarjes mes grupeve fetare dhe intolerancës përmes postimeve në rrjetet sociale. Sipas marrëveshjes, Musliu është dënuar me një vit burgim me kusht, me detyrimin që brenda tre viteve të mos kryejë ndonjë…

Lajme
Gjykata Themelore ka miratuar marrëveshjen e fajësisë të arritur ndërmjet Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit, Muhamet Musliu, i cili akuzohej për nxitje të përçarjes mes grupeve fetare dhe intolerancës përmes postimeve në rrjetet sociale.
Sipas marrëveshjes, Musliu është dënuar me një vit burgim me kusht, me detyrimin që brenda tre viteve të mos kryejë ndonjë vepër tjetër penale.
Prokurorja e rastit, Fikire Fejzullahu, deklaroi se marrëveshja është në harmoni me dispozitat ligjore dhe se i akuzuari ka qenë i mbrojtur profesionalisht gjatë gjithë procedurës.
“Prokuroria konsideron se marrëveshja e arritur mes Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit Muhamet Musliu është në përputhje me dispozitat e procedurës penale, për faktin që i akuzuari që nga fillimi i procedurës penale është mbrojtur përmes mbrojtës profesionale me të cilët ka pasur mundësi të këshillohet dhe udhëzohet mjaftueshëm për pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë dhe marrëveshjes së arritur, ashtu që sipas kësaj marrëveshjeje të akuzuarit i është shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej një viti me kusht që i njëjti brenda tre vitesh të mos kryejë veprën penale nxitja e përçarjes apo mosdurimit sipas aktakuzës dhe as ndonjë vepër tjetër penale. Rrjedhimisht, duke i shqyrtuar dhe vlerësuar të gjitha provat dhe shkresat e tjera të lëndës, Prokuroria beson se me një dënim të tillë do të arrihet efekti i ndalimit, parandalimit individual të kryerësve të mundshëm të veprave penale të kësaj natyre. Dhe se me këtë dënim besohet të arrihet risocializmi optimal i të akuzuarit, intencë kjo e Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale dhe shoqërisë në përgjithësi. Bazuar në këtë, gjykatës i propozoj që marrëveshjen si të tillë ta aprovojë dhe të akuzuarit Muhamet Musliu t’i shqiptojë dënimin sipas kësaj marrëveshjeje”, tha ajo.
Avokati i Musliut, Visar Rrecaj, deklaroi se mbrojtja e mbështet marrëveshjen dhe kërkoi lirimin e klientit të tij nga paraburgimi.
Ai tha se “marrëveshja e lidhur është në përputhje të plotë me dispozitat e procedurës penale dhe është e mjaftueshme për korrektimin dhe parandalimin e rasteve të tilla”.
Avokati i tij, Visar Rrecaj, deklaroi se mbrojtja e mbështetë marrëveshjen dhe kërkoi lirimin e Musliut nga paraburgimi.
“Edhe mbrojtja e mbështetë dhe qëndron në tërësi pranë marrëveshjes për të mbrojturin tonë. I nderuar kryetar, marrëveshja e lidhur mes Prokurorisë dhe të akuzuarit është në përputhje të plotë me dispozitat e procedurës penale. Është e mjaftueshme për korrektimin dhe parandalimin e personave të tjerë që tentojnë të kryejnë vepra të tilla penale dhe kërkojmë nga kjo gjykatë që marrëveshjen ta aprovojë në tërësi. Kërkojmë edhe ndërprerjen e masës së paraburgimit, meqenëse tani nuk ka kushte ligjore që një masë e tillë të vazhdojë edhe më tutje dhe kërkojmë që të bëhet lirimi i tij”, tha ai.
Edhe i akuzuari, Muhamet Musliu, u shpreh se marrëveshjen e ka pranuar me vullnet.
Ndërsa kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, gjatë shpalljes së vendimit tha se “aprovohet marrëveshja e fajësisë duke konsideruar se janë plotësuar kriteret ligjore dhe i pandehuri e ka kuptuar natyrën e veprës penale, pasojat dhe benefitet e pranimit të saj”.
“Merr këtë aktvendim se aprovohet marrëveshja e fajësisë duke konsideruar se janë plotësuar kriteret nga dispozitat ligjore, konsiderohet se i pandehuri e ka kuptuar natyrën e veprës penale, pasojat dhe benefitet e pranimit të kësaj vepre penale”, tha ai.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Musliu ka përhapur në vazhdimësi publikisht urrejtje dhe mosdurim midis grupeve fetare, duke propaganduar ideologji ekstreme përmes profilit të tij në Facebook. Në postimet e publikuara, sipas Prokurorisë, ai ka bërë thirrje për dhunë ndaj hebrenjve e të krishterëve dhe ka shpërndarë materiale të përputhshme me propagandën e ISIS-it.