MTI u dha paga në vlerë rreth 123 mijë euro serbëve që nuk shkuan asnjë ditë në punë
122 mijë e 738 euro ka shpenzuar Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për pagat e 25 punëtorëve serb, gjatë vitit 2020, edhe pse të njëjtit asnjëherë nuk kanë shkuar në punë, që nga viti 2016, shkruan lajmi.net.
Lajme
Sipas raportit të auditimit të nxjerr nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), MTI kishte angazhuar këta punëtorë në bazë të një vendimi të Qeverisë së Kosovës, në vitin 2015.
“Me vendimin nr. 06/39 të datës 22.07.2015, Qeveria e Kosovës ka aprovuar konkluzionet e dakorduara të Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për realizimin e marrëveshjes së ashtuquajtur ‘Mbrojta Civile’. Përmes këtij vendimi, MTI ka të angazhuar 25 punonjës të komunitetit serb me qëllim të integrimit të tyre në sistemin e Republikës së Kosovës. Këta punonjës nuk kanë punuar asnjëherë për MTI që nga viti 2016 kur edhe janë nënshkruar aktemrimet a tyre”, thuhet në raportin e auditimit.
Sipas këtij raporti, mungesa e hapësirave të punës në komunat përkatëse ishte shkak kryesor për mos angazhimin e këtyre të punësuarve.
Tutje, ministria kishte bërë përpjekje për adresimin e kësaj çështje gjatë vitit, duke dërguar shkresa tek ministritë përkatëse për marrje me qira ose sigurimin e hapësirave për këta të punësuar, mirëpo një gjë e tillë nuk ishte realizuar.
Zyra Kombëtare e Auditimit, pagesën për këta punëtorë e nënvizon si dëmtim të buxhetit.
“Pagesa e pagave pa vijueshmëri në punë shkakton dëmtim të buxhetit dhenjëherit ndikon në mosarritjen e objektivave të përcaktuara me marrëveshje”, thuhet në raport.
Në lidhje me këtë ZKA-ja ka nxjerr një rekomandim për MTI-në.
“Ministrja duhet të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të komunitetit serb, duke bërë monitorimin e tyre të vazhdueshëm ashtu siç parashihet me aktet ligjore”, thuhet në raport./Lajmi.net/