MTI lëshon certifikata pa e kontrolluar cilësinë e naftës

Fadil Berjani thotë se trupat inspektues të MTI-së nuk bëjnë kontrollin e cilësisë së naftës por lëshojnë vetëm certifikata të konfomitetit. Ai kërkon që trupat inspektues të hiqen krejtësisht. Thotë se duhet pyetur Qeveria se sa naftë kontrabandë hyn në Kosovë.

Lajme

24/04/2014 09:24

Kryetari i Shoqatës së Naftëarëve Fadil Berjani thotë se përgjegjësinë për cilësinë e naftës në Kosovë e ka Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Në një intervistë për “Tribuna”, Berjani ka thënë se trupat inspektues nga MTI nuk bëjnë kontrollin e cilësisë së naftës, por vetëm lëshojnë një certifikatë konformiteti për të cilën duhet paguar 59 euro.

“Ju lutem cilësia e naftës në Kosovë duhet të jetë me standarde evropiane 10PPM, por fajtor për moscilësinë është barrë të cilën duhet ta bartë Ministria e Tregitisë dhe Industrisë, e cila me trupat inspektues plaçkit. Shumë pak mostra merr në kufi, afërsisht 5 për qind të importit”.

“Trupat inspektuese lëshojnë certifikatat e konformitetit. Këto janë “KPU inspekt & Pan Adriatika”. Ato vetëm bëjnë një plaçkë të autorizuar nga MTI, ku vetëm për leximin e një certifikate paguajnë 59 euro dhe nuk testojnë cilësinë”.

“Ne si shoqatë kemi kërkuar largimin e trupave inspektuese dhe kemi kërkuar stacionimin e laboratorëve në kufi që të kontrollohet cilësia ndërsa certifikatën që janë duke  e lëshuar trupat inspektuese, duhet të vazhdojë ta kryejë Dogana e Kosovës, e cila e ka kryer këtë punë deri tash”.

I pyetur se sa naftë futet kontrabandë në Kosovë dhe nga cilët rrugë, Berjani ka thënë se për sa naftë hyn në Kosovë duhet pyetur Qeveria.

“Pika 1 dhe 31 ka qenë dhe Mitrovica e veriut, ku është bërë kontrabanda por ju duhet këtë pyetje t’ia drejtoni Qeverisë”, tha për “Tribuna”, Fadil Berjani.