MSh: Miratohet Projektligji për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se sot është miratuar Projektligji për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor. Me anë të një njoftimit, MSh-ja tha se Qeveria e Kosovës ka miratuar këtë projektligj duke i hapur rrugë të procedohet për aprovim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, shkruan lajmi.net. Sipas njoftimit, këto shërbime në të…

Lajme

25/01/2023 17:49

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se sot është miratuar Projektligji për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor.

Me anë të një njoftimit, MSh-ja tha se Qeveria e Kosovës ka miratuar këtë projektligj duke i hapur rrugë të procedohet për aprovim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, shkruan lajmi.net.

Sipas njoftimit, këto shërbime në të ardhmen qytetarët do të kenë mundësinë t’i marrin në institucionet publike shëndetësore.

“Me miratimin e këtij Projektligji rregullohet kujdesi shëndetësor, procedurat e fertilizimit të asistuar mjekësor, realizimi dhe këshillimi për këto procedura si e drejtë riprodhuese e individit kur nuk arrihet shtatzëni e dëshiruar me rrugë natyrore”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Miratohet Projektligji për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor, së shpejti këto shërbime mund të ofrohen në institucionet publike shëndetësore

Prishtinë, 25 janar 2023

Sot Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor, duke i hapur rrugë që ky projektligj të procedohet për aprovim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Me miratimin e këtij Projektligji rregullohet kujdesi shëndetësor, procedurat e fertilizimit të asistuar mjekësor, realizimi dhe këshillimi për këto procedura si e drejtë riprodhuese e individit kur nuk arrihet shtatzëni e dëshiruar me rrugë natyrore.

Në të ardhmen, qytetarët mund të kenë mundësi që këto shërbime të rëndësishme lidhur me shëndetin riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar -Fertilizimi in vitro (IVF) t’i marrin edhe në institucionet publike shëndetësore.

Rregullimi i kësaj fushe tashmë edhe me ligj, krijon mundësinë për organizimin, funksionimin, rolin dhe përgjegjësitë institucionale dhe profesionale, mbikëqyrjen, inspektimin për kujdesin shëndetësor të sigurt dhe cilësor që ofrohet në fushën e shëndetit riprodhues./Lajmi.net/