MSA-ja, sprova e sotme e shtetit

Në zgjedhjet e fundit për Kuvendin e Kosovës të vitit 2014, Lëvizja Vetëvendosje! ka marrë 99.398 vota (13,59% ), 69.793 (9,54%) ka marrë AAK-ja, ndërsa Nisma 37.680 (5,15%). Numri i përgjithshëm i votave të këtyre tri partive, pra i opozitës së tanishme, është gjithsejt 206 mijë e 871 ose 28.28 % të votave të vlershme.

Opinion

02/11/2015 08:04

Tashmë dihet edhe për themelimin e VLAN-it, që çoi në ngërçin institucional të vendit, poashtu edhe për historikun e përfundimit të tij pas gjashtë muajsh, që çoi në koalicionin e madh PDK-LDK si dhe etnitetet joshqiptare, krijimin e Qeverisë dhe funksionalizimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dhe, për pasojë, mbetjen në opozitë të Vetëvendosjës!, AAK-së dhe Nismës për Kosovën.

Pa mbushur ende një vit mandat nga krijimi i qeverisë së re të Kosovës, të drejtuar nga lideri i LDK-së, Isa Mustafa, Kuvendi i Kosovës po përballet me pengimin e zhvillimit të punimeve të tij nga ana e deputetëve opozitarë, qoftë duke e gjuajtur me vezë kryeministrin Mustafa, qoftë duke përdorur gazin lotsjellës. Shkaku, sipas opozitës, qendron në dy marrëveshjet e fundit të nënshkruara nga ana e Qeverisë; atë për demarkacionin me Malin e Zi dhe atë për Bashkësinë e Komunave Serbe, të nënshkruar në Bruksel.

Opozita thotë të ketë mbledhur 200 mijë nënshkrime për peticionin kundër këtyre marrëveshjeve. Krahasur me numrin e votave të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2014, del që opozita jo vetëm që nuk ka shtuar elektoratin, porse ka humbur brenda një viti më shumë se 6 mijë votues të saj. Shifra prej 200 mijë nënshkrimeve të mbledhura nga Vetëvendosja!, AAK dhe Nisma nuk mund të konsiderohet si shumë kurajuese as për zgjedhjet e parakohshme e as për referendumin që po kërkohet prej tyre. Përkundrazi, po të vazhdojë më tutje një trend i tillë i rënies gjerë në vitin 2018, kur parashihet të mbahen zgjedhjet e rregullta të përgjithshme, opozita mund të llogarisë në mbi 24 mijë vota më pak, gjë që mund të rezultonte me një rënie të fuqisë së saj elektorale për afër 3,5 për qind. Ndërkaq, po të kihet parasysh fakti se, sipas KQZ-së, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2014, Kosova kishte 1,799,023 votues të regjistruar, shifra prej 200 mijë nënshkrimeve të opozitës tejkalon fare pak 10 për qindshin e qytetarëve të Kosovës me të drejtë vote. Një fakt të tillë nuk do të duhej ta anashklonte kaq lehtësisht opozita, siç po përpiet të bëjë tani. Pra, VAN-i duhet ta ketë parasysh se është vota e elektoratit që e ka nxjerrë në opozitë. Dhe, ashtu siç ka të drejtë ta përfaqësojë elektoratin e vet dhe mbrojë interesat e tij, nuk ka të drejtë t’ia imponojë shumicës vullnetin e pakicës. Opozita, në vend të arrogancës, dhunës dhe veprimeve të jashtëligjshme, do të duhej t’i kthehej debatit dhe luftës politike me mjete demokratike në Kuvend dhe në bashkëpunim dhe bashkërendim me pozitën të gjej zgjidhjen që çon përpara interesat e vendit.

Pas nënshkrimit më 27 tetor në Strasburg të Marrëveshjës së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, dita e sotme, e hënë, është dita e njërës prej sprovave më kryesore të shtetit të Kosovës. Pra, është edhe dita e sprovës së opozitës. A do të jetë ajo në linjë me interesin e shtetit të Kosovës, krahas pozitës shqiptare, për të votuar MSA-në, apo do të rreshtohet kundër, krahas Listës Srpska, e cila pritet gjithashtu të mos e votoj MSA-në? Mospjesëmarrja e paralajmëruar e oüpozitës në seancë, do të thotë lënie e interesit të shtetit të Kosovës në duar të Listës Srpska, vota pro ose kundër e së cilës në këtë rast do ishte vendimtare.

Padyshim, ky do të ishte një luks i tepërt për opozitën. Sepse do ta dështonte shtetin e Kosovës në përmbushjen e obligimeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Ndërkaq procesin e liberalizimit të vizave, të paraparë për vitin e ardhshëm, dhe të gjitha proceset tjera integruese evroatlantike, do t’i dëmtonte rënd, duke i bërë shumë të largta, e që për pasojë do të kishim thellimin e izolimit të Kosovës dhe qytetarëve të vendit.

Është në interes të shtetit të Kosovës, të rrugëtimi të tij drejtë integrimit në Bashkimin Evropian që opozita të lë mënjanë përplasjet politike, inatet individuale e partiake dhe ta votojë MSA-në në Kuvend.

A do t’mund ta tejkalojë veten opozita? Jo. Nuk besoj. Fatkeqësisht. Dhe me këtë, Kosova do të hynte në njërën nga sezonat e saja më të liga politike.