MPJD thotë se s’ka pranuar asnjë informatë për ndalesat e qytetarëve serbë të Kosovës nga Serbia
Disa qytetarë serbë të Republikës së Kosovës të cilët punojnë në institucione të Kosovës është raportuar se janë përballur me disa vështirësi në shtetin fqinj, Serbinë. Siç është raportuar në media, punonjës serbë të Administratës në Komunën e Zubin Potokut, janë ndaluar nga policia serbe për t’u marrë në pyetje në momentin që kanë kaluar…
Lajme
Disa qytetarë serbë të Republikës së Kosovës të cilët punojnë në institucione të Kosovës është raportuar se janë përballur me disa vështirësi në shtetin fqinj, Serbinë.
Siç është raportuar në media, punonjës serbë të Administratës në Komunën e Zubin Potokut, janë ndaluar nga policia serbe për t’u marrë në pyetje në momentin që kanë kaluar nga territori i Kosovës në Serbi.
Këtë raportim e ka mohuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
MPJD në një përgjigje për lajmi.net ka thënë se nuk ka pranuar asnjë informatë në lidhje me këto ndalesa.
“Lidhur me pyetjet në fjalë, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi nuk ka pranuar asnjë informacion deri tani i cili konfirmon këto ndalesa. Në momentin që do të kemi raste që dikush nga qytetarët lajmëron Zyrën tonë atje, për probleme të tilla, Zyra Ndërlidhëse është në gatishmëri të plotë për të asistuar dhe ndihmuar qytetarët tanë në mbrojtjen e të drejtave të tyre” , ka thënë MPJD për lajmi.net.
Këto ndalesa të qytetarëve serbë të Republikës së Kosovës, i ka konfirmuar kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.
Ai ka thënë se kohëve të fundit, është një presion që bëhet nga ana e Serbisë pasi që është një vendim për listat e ndalimit të atyre njerëzve, personit që punojnë ose i afrohen institucioneve të Kosovës. Sipas tij, Serbia merr informacione dhe i vendos në lista të ndalimit në rast se e kalon kufirin atje ndalohen dhe merren në pyetje.
Sipas Zeqirit, janë 4-5 punonjës së zyrës në Administratën në Komunën e Zubin Potokut, që janë ballafaquar me këtë presion. /Lajmi.net/