MPJD njofton se u largua tabela sinjalizuese në Mal të Zi që tregonte Pejën si pjesë të Serbisë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar në lidhje me vendosjen e një tabele sinjalizuese në Murinë, me mbishkrimin “Pec Srb” si dhe pas situatës së krijuar pas vendosjes së kësaj tabele e cila paraqiste qytetin e Pejës si vend të Serbisë. MPJD ka theksuar se ka ndjekur me shqetësim rastin e vendosjes…

Lajme

07/04/2025 14:31

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar në lidhje me vendosjen e një tabele sinjalizuese në Murinë, me mbishkrimin “Pec Srb” si dhe pas situatës së krijuar pas vendosjes së kësaj tabele e cila paraqiste qytetin e Pejës si vend të Serbisë.

MPJD ka theksuar se ka ndjekur me shqetësim rastin e vendosjes së kësaj tabele, duke shtuar se përmbajtja e saj është e papranueshme dhe në kundërshtim me frymën e fqinjësisë së mirë dhe respektit ndërshtetëror.

Sipas njoftimit për media thuhet se pas marrjes së informacioneve, MPJD përmes ambasadës së Kosovës në Podgoricë, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për adresimin e kësaj çështje në institucionet kompetente të Malit të Zi.

E pas këtyre hapave, MPJD njofton se tabela është larguar tashmë nga aty ku ishte vendosur, transmeton lajmi.net.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka ndjekur me shqetësim rastin e vendosjes së një tabele sinjalizuese në Murinë, me mbishkrimin “Peć Srb”, me përmbajtje të papranueshme dhe në kundërshtim me frymën e fqinjësisë së mirë dhe respektit ndërshtetëror.

Menjëherë pas pranimit të informacioneve për këtë rast, MPJD, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Podgoricë, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për adresimin e kësaj çështje me institucionet kompetente të Malit të Zi.

MPJD njofton opinionin publik se pas këtij angazhimi institucional, tabela në fjalë është hequr.

Ministria mirëpret këtë veprim nga autoritetet malazeze dhe e konsideron atë si një hap të rëndësishëm drejt ruajtjes së marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe respektimit të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, MPJD falënderon aktivistët dhe banorët e zonës për angazhimin dhe reagimin e tyre qytetar në sensibilizimin e opinionit publik dhe në mbrojtje të vlerave të përbashkëta demokratike dhe ndërfqinjësore.

Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për ndërtimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Malin e Zi, në frymën e bashkëpunimit të ndërsjellë, fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane./Lajmi.net/