MPJD me detaje nga ndalimi i ish-policit Spahiu: Avokatët pritet ta takojnë nesër, kemi njoftuar edhe vendet e QUIN-it dhe ambasadën gjermane
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, është deklaruar edhe një herë në lidhje me rastin e arrestimit dhe ndalimit të ish-zyrtarit policor Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe. MPJD tha se përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, po ndjek me vëmendje të shtuar zhvillimet rreth arrestimit të Arbnor Fatmir Spahiu, ish-pjesëtar i…

Lajme
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, është deklaruar edhe një herë në lidhje me rastin e arrestimit dhe ndalimit të ish-zyrtarit policor Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe.
MPJD tha se përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, po ndjek me vëmendje të shtuar zhvillimet rreth arrestimit të Arbnor Fatmir Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
MPJD tha se Spahiu u arrestua më 7 qershor 2025 nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, teksa po udhëtonte me autobus së bashku me familjen e tij, duke u kthyer nga Austria. Më 9 qershor, rreth orës 20:00, ai doli para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Suboticë, ku iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh dhe se aktualisht, Spahiu ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë.
“Sipas deklarimeve të familjarëve dhe avokatit mbrojtës, akuzat e ngritura ndaj z. Spahiu kanë të bëjnë me rastin e Banjskës. Ata i konsiderojnë këto akuza tërësisht të pabazuara dhe të fabrikuara, duke theksuar se z. Spahiu ka përfunduar shërbimin në Policinë e Kosovës që nga viti 2022 dhe prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me familjen e tij. Ambasadori Jashari, bashkë me avokatin e angazhuar nga familjarët e z. Spahiu, z. Arianit Koci, do të udhëtojnë nesër, më 11 qershor, në Suboticë, ku do të takohen me avokatin e dytë të caktuar sipas detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin për media.
Sipas MPJD-s, përveç kësaj, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dorëzuar menjëherë kërkesë zyrtare për lejimin e vizitës së Ambasadorit Jetish Jashari tek Spahiu në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë.
Vizita pritet të realizohet në ditët në vijim, sapo të miratohet nga autoritetet përkatëse.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, ka njoftuar për rastin misionet diplomatike te vendeve te Quint-it të akredituara në Beograd, dhe të gjithë Trupin diplomatik në Kosovë. Në mënyrë të veçantë, po mbahet komunikim i rregullt me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë, duke marrë parasysh se Spahiu ka qëndrim të rregullt në Gjermani”,theksohet tutje.
Ministria e Jashtme tha se Republika e Kosovës do të vazhdojë të shfrytëzojë të gjitha kanalet diplomatike në dispozicion për të siguruar që kjo padrejtësi e radhës ndaj një shtetasi të Republikës së Kosovës të marrë fund, dhe që z. Spahiu të lirohet sa më parë./Lajmi.net/