MPJD e Gërvallës raportohet se po u kërkon ambasadave faturat për shpenzimet e presidentes Osmani gjatë vizitave jashtë vendit, deri te detajet si numri i shisheve të ujit të konsumuar
Dikur, përpara se Vjosa Osmani të zgjidhej Presidente e Kosovës, ajo së bashku me Donika Gërvallën kishin themeluar partinë “GUXO”, pasi të dyja kishin lënë LDK-në për të krijuar një subjekt të ri politik. Por nga ajo miqësi dikur e fortë, sot nuk ka mbetur thuajse asgjë. Përkundrazi, dy zonjat që dikur ndanin një kauzë…

Lajme
Dikur, përpara se Vjosa Osmani të zgjidhej Presidente e Kosovës, ajo së bashku me Donika Gërvallën kishin themeluar partinë “GUXO”, pasi të dyja kishin lënë LDK-në për të krijuar një subjekt të ri politik.
Por nga ajo miqësi dikur e fortë, sot nuk ka mbetur thuajse asgjë. Përkundrazi, dy zonjat që dikur ndanin një kauzë të përbashkët politike, tani duket se janë në një konflikt të hapur, madje të ashpër.
Përplasja e fundit mes tyre lidhet me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), të udhëhequr nga Donika Gërvalla, e cila po kërkon nga ambasadat e Kosovës faturat për shpenzimet e bëra gjatë vizitave të Presidentes Osmani jashtë vendit. Nga Presidenca kjo konsiderohet si një formë presioni dhe si një “luftë politike” ndaj kreut të shtetit.
Sipas raportimeve, MPJD u ka kërkuar misioneve diplomatike që të dorëzojnë të gjitha faturat që lidhen me shpenzimet e bëra gjatë pritjes së Presidentes dhe delegacioneve të saj, përfshirë edhe detaje si numri i shisheve të ujit të konsumuar apo sasia e naftës për veturat zyrtare. Kjo lëvizje nuk është ndërmarrë për shpenzimet e udhëtimeve të Kryeministrit apo të ministrave të tjerë të Qeverisë, të cilët po ashtu shfrytëzojnë mbështetjen logjistike të ambasadave.
Gazeta Online Reporteri.net ka kontaktuar Presidencën për të verifikuar nëse ishin në dijeni për këtë kërkesë të MPJD-së ndaj ambasadave. Nga zyra e Presidentes është konfirmuar se nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar për këtë çështje dhe se për herë të parë janë informuar përmes mediave.
Nga Presidenca theksohet se nuk kanë asgjë për të fshehur, pasi shpenzimet e tyre janë gjithmonë të publikuara dhe transparente. Ata shtojnë se ambasadat kanë vepruar në përputhje me detyrimet e tyre kushtetuese dhe ligjore, duke pritur delegacionet shtetërore siç është e zakonshme për çdo përfaqësi diplomatike.
Megjithatë, Presidenca e konsideron të papranueshme dhe fyese kërkesën për detaje të tilla si numri i shisheve të ujit apo llogaritjet e karburantit për vizitat zyrtare të Presidentes, duke theksuar se një qasje e tillë nuk është zbatuar për asnjë institucion tjetër shtetëror.
“Kjo është një luftë e qartë politike, madje e paparë deri më tani,” kanë deklaruar zyrtarë nga Presidenca, duke shprehur shqetësim se mund të ketë edhe keqpërdorime të qëllimshme me fatura, ku shpenzime që nuk lidhen fare me Presidenten mund të paraqiten si të tilla.
“Tendencave të tilla për ta penguar Presidenten në kryerjen e detyrës kushtetuese si udhëheqëse e politikës së jashtme do t’u kundërvihemi me çdo mjet ligjor e kushtetues,” thuhet në përfundim të reagimit nga Presidenca.
Ky konflikt u ndez fillimisht pas një kërkese nga një medium, i cili kërkoi qasje në shpenzimet e Presidentes Osmani të mbuluara nga misionet diplomatike gjatë vizitave të saj jashtë vendit – kërkesë që më pas u shndërrua në një përplasje të hapur institucionale mes dy figurave të larta shtetërore, dikur aleate politike.