MPJ përkrah rezolutën për Sirinë

MPJ shpreh bindjen se Rezoluta e miratuar mbrëmë është bazament i fuqishëm obligues për të garantuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare e cila kanosej seriozisht nga regjimi i Al-Assad.

Lajme

28/09/2013 18:16

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës e ka përkrahur fuqishëm miratimin e Rezolutës 2118 të Këshillit të Sigurimit të OKB’së dhe i bashkohet përpjekjeve ndërkombëtare për shkatërrimin e armëve kimike të regjimit të Sirisë.

Në një deklaratë të lëshuar të shtunën, MPJ shpreh bindjen se Rezoluta e miratuar  mbrëmë është bazament i fuqishëm obligues për të garantuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare e cila kanosej seriozisht nga regjimi i Al-Assad që nga 21 Gushti, me ç’rast u vranë mbi një mijë civil të pafajshëm në periferi të Damaskut, në sulmin më të madh të këtij lloji të shekullit XXI.

“Republika e Kosovës në vazhdimësi ka kërkuar që Rezoluta e KS-OKB të jetë e bazuar në kapitullin VII të Kartës së OKB-së, dhe zbatimi i saj të i jetë i shpejtë dhe i plotë. Ky akt i përbashkët i KS-OKB, dërgon një mesazh të fortë që përdorimi i armëve kimike është kërcënim i paqes ndërkombëtare dhe sigurisë, dhe dëshmon se vullneti ndërkombëtarë për t’ju përgjigjur përdorimit të armëve kimike do të jetë i njëjtë në çdo vend dhe në çdo kohë”.

“Republika e Kosovës është e gatshme të jetë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për të ndihmuar zbatimin e plotë të kësaj resolute”.