MPB është bërë Ministri e Skandaleve
AAK vlerëson se MPB është bërë Ministri e Skandaleve. Dhe për këtë ajo e fajëson kreun e kësaj ministrie, Bajram Rexhepi për të cilin thotë se “me kohë e ka dëshmuar nuk arrin ta menaxhojë këtë Ministri”.
Lajme
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë sot se lajmi për dëmtimin e buxhetit nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), në vlerë prej 113 mijë eurosh, është edhe një dëshmi për keqmenaxhimin e skajshëm të kësaj Ministrie tejet të rëndësishme për shtetin.
Në një deklaratë të lëshuar të martën, AAK shprehet e brengosur për, siç e vlerëson, nivelin e joseriozitetit në udhëheqjen e MPB’së, sikurse edhe gjithë Qeverisë së Kosovës.
“AAK vlerëson se dëmtimi i buxhetit të Kosovës, në kohën kur varfëria ka arritur në shkallën më të lartë, është tregues i vërtetë i qeverisjes në Kosovë”.
“Departamenti për Sundim të Ligjit në kuadër të AAK’së vlerëson se MPB është kthyer në Ministri të Skandaleve, pasi që pothuajse në secilën javë publikohet një skandal i ri”.
“Përgjegjësinë për këtë situatë të keq-menaxhimit të MPB’së e mban Ministri Bajram Rexhepi, i cili me kohë ka dëshmuar nuk arrin të menaxhojë këtë Ministri”, thuhet në deklaratën e AAK’së.