Mourinho kritikon ‘filozofët’

Menaxheri i Chelseas, Jose Mourinho mbron strategjinë e lojës së tij në periudhën e fundit, dhe thotë se futbolli aktualisht është përplot me filozofë, që mendojnë se dinë shumë më tepër se ai.

Sport

30/04/2014 11:01

Menaxheri i Chelseas, Jose Mourinho kritikoi “filozofët” që sulmuan taktikat e skuadrës së tij në ndeshjet e fundit.

Qasja defanzive e Blues ua siguroi barazimin pa gola në udhëtim te Atletico Madrid në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe fitoren 2:0 ndaj Liverpoolit në Anfield.

Chelsea kishte katër goditje në portë në Anfield në fitoren ndaj Reds dhe vetëm dy ndaj Atleticos në Vicente Calderon.

“Futboll tani është përplot me filozofë, njerëz që kuptojnë shumë më tepër se unë. E mrekullueshme. Por, realiteti është realitet. Një ekip që nuk di të mbrohet mirë, nuk ka shumë shanse për të fituar”, deklaroi Mourinho para ndeshjes së kthimit me Atleticon në Stamford Bridge.

“Nëse kundërshtari ëhstë shumë i shpejtë dhe kërkon hapësira në mbrojtjen tuaj, dhe ju ia jepni atë hapësirë, ju jeni budalla”, shtoi Mourinho, i cili theksoi se homologu i tij nga Liverpool, Brendan Rodgers ia uroj fitoren të martën.

Nëse kualifikohet në finale, Chelsea do të takohet me Real Madridin që shkatërroi Bayern Munichun duke e mposhtur me rezultat të përgjithshëm 5:0.