Moslargimi i Rektorit bllokon edhe punën e Kuvendit

Grupet parlamentare nuk po munden t’i harmonizojnë qëndrimet për rekomandimet rreth gjendjes në UP. Refuzimi i Rektorit Ibrahim Gashi për largim, përveç situatës së krijuar tash e dy javë në Universitet, ka bllokuar edhe punën e Kuvendit.

Lajme

07/02/2014 10:48

Refuzimi i Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” që të largohet nga ky post pas një serie skandalesh në këtë institucion, përveç punës në Universitet, ka bllokuar edhe punën e Kuvendit të Kosovës.

Grupet parlamentare edhe në seancën e sotme janë shtyrë me argumentet e tyre rreth rekomandimeve të hartuara të cilat nuk u votuan dje për shkak të mungesës së kuorumit pasi deputetët e partive në koalicion qeveritar (PDK dhe AKR) u larguan nga seanca.

Njëjtë ndodhi edhe sot në tentimin e parë të Kuvendit për t’i votuar këto rekomandime.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, kur e pa se mungon kuorumi, dha një pauzë 30 minutëshe.

Kur u kthyen në seancë, Krasniqi u dha një vërejtje deputetëve.

“Është vit elektoral dhe do të kemi kërkesa për debat”.

“Ata që kërkojnë debat, le t’i përgatisin mire rekomandimet. Debati duhet të zhvillohet mbi rekomandimet. Rekomandimet duhet të vijnë para seancës”.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci, ka kërkuar harmonizim të qëndrimeve të grupeve parlamentare ndërsa përmendi një listë rekomandimesh të cilat, sipas tij, PDK i ka hartuar dhe që kërkojnë harmonizim me rekomandimet e opozitës.

Por Grabovci, edhe pas shumë kërkesave, refuzoi që ato rekomandime t’i lexojë në seancë.

“Jemi për të bërë verifikimin dhe për t’i shkuar kësaj çështjeje deri në fund por jemi kundër masave të dhunshme në UP. I kemi bërë disa rekomandime dhe kërkoj që rekomandimet tona të jenë në përputhje me ruajtjen e pavarësisë së UP’së”, tha Grabovci.

Shefi i GP të Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se ëshët detyrë e Kuvendit ta zgjidhë këtë çështje.

Burim Ramadani nga AAK kërkoi që të mos kalohet në pika tjera të ditës pa u votuar rekomandimet për UP’në.

“Situata është goxha e qartë sa i përket rekomandimeve të harmonizuara të partive opozitare”.

“Nuk duhet të kaklojmë në pika tjera të rendit të ditës pa përfunduar kjo pikë. Duhet të kalojmë në votim sepse kjo është me rëndësi”, tha Ramadani.

Pas konsultimeve të grupeve parlamentare, Ismet Beqiri komunikoi lajmin se nuk ka përafrim të qëndrimeve

“U takuam, u munduam t’i harmonizojmë, ne nga opozita ishim dakord t’i fusim dy pika të rekomanduara nga koalicioni qeveritar”.

Sipas tij, GP i PDK’së ka ërkuar që të hiqet pika e parë e rekomandimeve që ka të bëjë me kërkesën për dorëheqje apo shkarkim të Rektorit Ibrahim Gashi dhe Këshillit Drejtues.

“Këmbëngulësia që pika e parë të hiqet nga lista. Ky është rekomandim që ka dalë nga debati dhe nuk pranojmë ta largojmë”, ka thënë Beqiri duke kërkuar që rekomandimet të votohen.

Deputeti nga PDk, Ramë vataj ka dhënë arsyet pse grupi i tij parlamentar refuzon rekomandimin për dorëheqje apo shkarkim të Rektorit.

“Pika e parë është e papranueshme sepse është cenim i lirisë akademike e cila garantohet me ligj”, ka thënë Vataj.

“Deri te dorëheqja vjen kur bëhet ekzaminimi i fakteve. Me Statut të Universitetit rregullohet se si përfundon mandati i menaxhmentit apo rektorit para kohe”, tha Vataj.

Seanca është mbyllur në mungesë kuorumi dhe për hapat në vijim do të diskutohet të hënën në kryesi të Kuvendit.