Moskoordinimi për mbylljen e strukturave paralele: Si dhe pse reaguan ambasadat ndërkombëtare
Gjatë një operacioni policor sot janë mbyllur komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj si dhe posta e zyre tatimore paralele. Aksioni për mbylljen e komunave paralele është kryer sot në dhjetë komuna të vendit, pa autorizim të Prokurorisë. Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë…
Lajme
Gjatë një operacioni policor sot janë mbyllur komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj si dhe posta e zyre tatimore paralele.
Aksioni për mbylljen e komunave paralele është kryer sot në dhjetë komuna të vendit, pa autorizim të Prokurorisë.
Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë thanë se nuk e kanë autorizuar Policinë e Kosovës për të kryer kontrolle dhe bastisje dhe se nuk pati ndonjë kërkesë zyrtare për këtë çështje.
Ministri i punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se nga sot mbyllet kapitulli i institucioneve paralele. “Në Banjë e gjithandej në të gjitha pjesët tjera të Republikës së Kosovës objektet komunale, postat, zyrat tatimore dhe të gjitha mbetjet e institucioneve paralele përfundojnë”, tha në një postim në rrjetet sociale.
“Këto institucione paralele kriminale të Serbisë nuk kanë vend në Republikën e Kosovës”, tha ndërkaq ministri i Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi.
Prokuroria Themelore në Prishtinë tha në orët e pasdites se nuk e ka autorizuar Policinë e Kosovës për të kryer kontrolle dhe bastisje, meqë nuk pati ndonjë kërkesë zyrtare për këtë çështje.
Në komunikatën e lëshuar nga Prokuroria thuhet se organi i ndjekës nuk ka autorizuar kryerjen e bastisjeve në këto lokacione meqë nuk kanë pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim nga institucionet dhe se nuk u është ofruar kurrfarë prove për t’u krijuar dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale.
“Prokurori i shtetit duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi. Prokurori i shtetit është i gatshëm dhe i përkushtuar në ndjekjen e veprave penale dhe kryerësve të tyre, gjithmonë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, si dhe duke u bazuar në parimin e barazisë dhe mos diskriminimit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.
Policia e Kosovës tha përmes një komunikate se qëllimi i operacionit ishte vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe me kërkesën e ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ka ndihmuar zyrtarët e kësaj ministrie për ndërprerjen e veprimtarive të jashtëligjshme të këtyre institucioneve.
“Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në komunikatën e policisë.
Kjo e shtyri ministren e drejtësisë Albulena Haxhiu, të reagojë prokurorisë, e cila njoftoi se nuk ka pasur ndonjë koordinim me Policinë e Kosovës në lidhje me aksionet e mbylljes së strukturave paralele në disa lokacione në Kosovë.
Haxhiu e ka cilësuar këtë reagim si “skandaloz”.
Tutje, ajo ka sulmuar prokurorinë, duke pyetur në mënyrë retorike se “në shërbim të kujt janë?”
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dënuan veprimet e Prishtinës
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka thënë se veprimet e sotme të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele të Serbisë në disa komuna të Kosovës, ndikojnë direkt dhe negativisht tek qytetarët serbë etnikë të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euro-atlantik.
“Veprimet e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia ndikojnë direkt dhe negativisht në qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet e tjera – dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë për Express.
Ky zëdhënës i Ambasadës Amerikane tutje ka thënë se këto veprime janë bërë kundër këshillave amerikane dhe si të tilla e dobësojnë besimin dhe kufizojnë mundësitë e SHBA-së për të ndihmuar Kosovën për një të ardhme më të mirë.
“Këto veprime, kundër këshillave tona më të mira, dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për të ndihmuar Kosovën të sigurojë të ardhmen më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj. Ne po vazhdojmë të monitorojmë situatën. Ju lutemi ndiqni platformat tona online për reagime shtesë nga Ambasada e SHBA”, përfundon përgjigja.
Prokuroria Themelore e Prishtinës doli me reagim, ku tha se këto bastisje janë kryer pa autorizimin e saj.
Në komunikatën e lëshuar nga Prokuroria thuhet se organi i ndjekës nuk ka autorizuar kryerjen e bastisjeve në këto lokacione meqë nuk kanë pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim nga institucionet dhe se nuk u është ofruar kurrfarë prove për t’u krijuar dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale.
“Prokurori i shtetit duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi. Prokurori i shtetit është i gatshëm dhe i përkushtuar në ndjekjen e veprave penale dhe kryerësve të tyre, gjithmonë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, si dhe duke u bazuar në parimin e barazisë dhe mos diskriminimit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.
Beogradi reagoi ashpër ndaj mbylljes së institucioneve paralele
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç në një intervistë për televizionin B92 tha se terrori ndaj serbëve në Kosovë është i dukshëm ndërsa theksoi se shteti serb do të përkujdeset për qytetarët që kanë mbetur pa punë. Ai tha se së shpejti do të takohet me serbë nga Kosova, përfaqësues të Listës Serbe dhe përfaqësues të të gjitha organeve të Kosovës.
Ministri i Jashtëm i Serbisë Marko Gjuriç tha se veprimet e sotme të bashkërenduara nga qeveria e (Albin) Kurtit, shënojnë një përshkallëzim të rrezikshëm. Ai shkroi në rrjetet sociale se këto veprime nuk janë vetëm një sulm ndaj institucioneve, por një përpjekje e hapur për të dëmtuar të drejtat kolektive dhe identitetin e serbëve në Kosovë.
Ai tha se këto janë veprime elektorale të Albin Kurtit, i cili sipas tij, po shpërfill të drejtat e njeriut duke shkelur marrëveshjet që kishin për qëllim mbrojtjen e paqes dhe bashkëjetesës. Ai kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar të mos heshtë.
Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë për bisedimet me Kosovën Petar Petkoviç, anuloi pjesëmarrjen në takimin inaugurues të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur, për shkak të siç tha situatës së krijuar në terren. Ai tha se tashmë të gjithëve u është e qartë përfshirë edhe Bashkimin Evropian se faji për këtë i bie Prishtinës dhe jo Beogradit.
Zyrtari serb tha se me këto veprime, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “së pari po tregon se nuk i intereson dialogu, as Asociacioni i komunave serbe dhe asnjë serb që jeton në Kosovë”.
Kurse, kryetari i Komisionit qeveritar të Kosovës për personat e zhdukur, Andin Hoti tha se takimi nuk u realizua për shkak të refuzimit të Serbisë. Prania e zotit Petkoviç në Bruksel shkroi ai në rrjetet sociale “është dëshmia më e qartë se pikërisht ai orkestroi dhe garantoi dështimin e takimit të paraparë, duke e kthyer një proces teknik jetik në një mjet të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit”.
Zoti Hoti shkroi se arsyetimi i Serbisë për mospjesëmarrje në takim përveç që është banal është edhe i dëmshëm për procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur dhe nuk ka të bëjë asgjë me temën për të cilën janë thirrur në Bruksel.
Emisari Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se është takuar ndaras me të dyja palët. “Kosova prezantoi përparësitë e saj. Serbia ka njoftuar për mospjesëmarrje në një takim të përbashkët për shkak të zhvillimeve në Kosovë”, shkroi zoti Lajçak.
Takimi i sotëm pritej të ishte i pari i Komisionit të përbashkët për personat e zhdukur, një muaj pasi kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, u pajtuan për zbatimin e deklaratës mbi personat e zhdukur, që ishte pjesë e marrëveshjes së arritur vitin 2023 në Bruksel dhe në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve.
Në maj të vitit të 2023 udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë nënshkruan një deklaratë të përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë nëpërmjet së cilës u zotuan për “zbatimin e plotë të detyrimeve” për ndriçimin e fatit të rreth një mijë e 600 personave për të cilët nuk dihet asgjë edhe gati 26 vjet pas përfundimit të luftës.