Mos raftë me harru!

Do të ishte mrekulli e dorës së parë nëse zgjedhjet e qershorit të këtij viti, do të jenë të lira, demokratike dhe të organizuara mirë.

Opinion

08/05/2014 11:13

Kuvendi i Kosovës, tash e sa kohë ishte në gjendjen që i ngjante një të sëmuri rëndë, i cili as nuk vdes, dhe as nuk mëkëmbet.

Thuhet që në këtë rast, familja e këtij të sëmuri të rëndë që vuan tërë kohën, as gjallë dhe as i vdekur, duhet të pres një kurban për te, ashtuqë ai të marrë një udhë: Të kalojë në atë Botë, apo të kthehet në këtë të Botë.

‘Kurbani’ i këtij Kuvendi ishte votimi i bërë, këtë të mërkurë, me 7 maj, për shpërbërjen e tij. Ky Kuvend, i katërti prej se Kosova bën zgjedhje të lira dhe demokratike, i dyti i Republikës së Kosovës, kështu shkoi në histori, për të çelë udhë për zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat do të jenë të parat që mbahen në stinë pranvere, dhe të dytat që klasifikohen si zgjedhje të jashtëzakonshme.

Politika institucionale e Kosovës, ishte sjellë, ekskluzivisht me meritën e elitës së sotme politike, në situatë kur duhej të zgjidhte njërin prej dy maktheve: Vazhdimin e punës së këtij Kuvendi dhe të kësaj Qeverie, apo, organizimin e shpejtë të zgjedhjeve, për më pak se 40 ditë, në qershorin e këtij viti.

I pari makth u la prapa, i dyti është para nesh.

Në njëfarë kinse mjeshtërie politike për të heq prej përdorimit fjalët që kanë domethënie të qartë, për të mos shqetësuar shumë qytetarët e rëndomtë të Kosovës, të cilët, në fakt, çdo mbrëmje të lume i marrin ‘qetësuesit’ në trajtë të serialeve turke, autoritetet kosovare po flasin për sfidën e organizimit të zgjedhjeve të shpejta. I druajnë fjalëve dështim, mashtrim dhe manipulim zgjedhor, vjedhje industriale  (nocion që na la në trashëgimi një diplomat francez, në përshkrimin më të saktë të mundshëm të turpit zgjedhor të dhjetorit të vitit 2010), prandaj, më mirë është të flitet për sfidën e organizimit të këtyre zgjedhjeve.

Do të ishte pra mrekulli e dorës së parë nëse zgjedhjet e qershorit të këtij viti, do të jenë të lira, demokratike dhe të organizuara mirë.

Por ja që mbërritëm aty, si institucione qendrore të Kosovës, kur paqëndrueshmëria ishte veçoria mbizotëruese e tyre, kur thuaja asnjë vendim i hajrit nuk mund të merrej në Kuvend, kur i gjithë Kuvendi i shndërrua në emisionit televiziv Hajt Pak  (e që ka dalë nga Hyde Park u Londrës, ku kushdo mund të flasë çkado), kur pra nuk kishte mbetur asnjë grimë justifikim për vazhdimin e kësaj gjendje të agonisë politike.

Por realisht, nuk ka qenë asnjëherë kontestuese, në këto muajt e fundit, a duhet dhënë fund këtij Kuvendi, por si duhet të shkohet në zgjedhjet e reja nacionale?

Dikush këtu mund të shtojë menjëherë që kjo pyetje është e kotë, e tepërt.

Si mund të pres dikush pjekuri dhe mençuri politike prej këtyre institucioneve qendrore të Kosovës, si mund të shpresoj dikush që të mbizotërojë arsyeja politike, në institucionet që gjë të përbashkët nuk kanë me mendjen dhe me maturinë politike.

Ne kemi tash e sa kohë fushatë, pa pasë zgjedhje fare. Liderët e partive politike caktojnë datën e zgjedhjeve, e cila është detyrë e Presidentit të vendit. Mbahen takimet te Presidentja e vendit, e kush nuk e di se kush i ka thirr ato takime. Nëpër korridoret e Kuvendit harrohen dhe humbin diku Ligjet tej mase të rëndësishme për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e Kosovës, dhe në zgjedhje të reja shkohet pa i miratuar fare ato.

Dhe kështu me radhë.

Po origjina e katastrofës së këtyre institucioneve, e dimë të gjithë, e shumica tashmë e kemi harruar, është pikërisht në dhjetorin e vitit 2010.

Edhe atëherë kishim një situatë të paqëndrueshme politike, apo një krizë parlamentare.

Atëherë, siç u mor vesh më vonë, një krizë disamujore politike, u zëvendësua me një tjetrën, e cila zgjati tre vjet e pak më shumë.

Duket që në atë udhë jemi nisë edhe tash.

Po thuhet, me të madhe, që ky ka qenë Kuvendi më i keq që ka pasur Kosova që prej atij të parit, që u bë në dhjetorin e vitit 2001.

Ky Kuvend, midis tjerash, ka qenë rezultat i zgjedhjeve më të këqija që ka pasur Kosova.

Me zgjedhje të këtij lloji, me institucione qendrore që janë në përputhje me cilësinë e votimit të vitit 2010, nuk ka mundur të jetë ndryshe, pos që të mbërrimë në konkludimin që politika kosovare kurrë nuk ka qenë më keq.

Mbetet në fund të thuhet: Mos raftë me u harru. E tëra.