Mos funksionimi i Kuvendit – Kosova afër t’i humbasë 40 milionë euro të BE-së
Kosova pritet t’i humbasë 40 milionë euro të BE-së nga Plani i Rritjes. Kështu ka bërë të ditur në konferencë për media Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Koordinatori Kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, Jeton Zulfaj, transmeton lajmi.net. Kjo për shkak se Kosova nuk ka arritur t’i përmbushë të gjitha…
Lajme
Kosova pritet t’i humbasë 40 milionë euro të BE-së nga Plani i Rritjes.
Kështu ka bërë të ditur në konferencë për media Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Koordinatori Kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, Jeton Zulfaj, transmeton lajmi.net.
Kjo për shkak se Kosova nuk ka arritur t’i përmbushë të gjitha obligimet e afatit shtesë të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, duke paralajmëruar se si pasojë e moszbatimit të gjashtë hapave të reformave vendi rrezikon të humbë mbi 40 milionë euro.
Kryenegociatori Zulfaj tha se nga 62 hapa që janë në proces zbatimi, deri më 30 qershor janë përmbushur 18.
Ai shtoi se më 15 korrik Kosova do t’i drejtohet Komisionit Evropian me kërkesën për lëvrimin e fondeve për reformat e realizuara.
“Në total, në zbatim e sipër deri dje janë 62 hapa. Prej tyre, 13 kanë qenë me afat shtesë deri më 30 qershor 2026, ndërkaq 49 hapat e tjerë janë në zbatim e sipër, ku 27 prej tyre e kanë afatin shtesë deri në fund të vitit 2026. Nga gjithsej 62 hapa, konsiderojmë se janë zbatuar 18 hapa, për çka më 15 korrik do të kërkojmë lëvrimin e fondeve nga Bashkimi Evropian. Për hapat që nuk arrijnë të zbatohen në periudhën shtesë, sipas instrumentit të reformave, mjetet e dedikuara për përfundimin e tyre humbin,” deklaroi Zulfaj.
Nga 13 hapat që kërkoheshin, Kosova ka realizuar vetëm shtatë deri më 30 qershor. Gjashtë hapat e tjerë nuk janë përmbushur plotësisht.
“Nga këto 13 hapa që ishin pjesë e agjendës së reformave me afat shtesë, shtatë konsiderohen të zbatuar, ndërkaq gjashtë nuk kanë arritur të zbatohen plotësisht. Edhe te këta gjashtë hapa ka zbatim të disa nënhapave, kryesisht të veprimeve që varen nga qeveria, mirëpo nuk është arritur përmbushja e plotë e obligimeve”, tha ai.
“Hapat që nuk kanë arritur të zbatohen deri dje janë: Ligji për Energjinë dhe Energjinë Elektrike me aktet nënligjore, Ligji për Ndihmën Shtetërore, Ligji për Inovacionin dhe themelimi i Këshillit Kombëtar dhe Fondit të Inovacionit, legjislacioni për falimentimin dhe paaftësinë paguese, pakoja prej gjashtë ligjeve të reformës në drejtësi, si dhe Strategjia për Luftimin e Krimit të Organizuar me nënhapat përkatës”, shtoi ai.
Zulfaj u shpreh se hapat e pa përmbushur varen nga funksionimi normal i Kuvendit të Kosovës.
“Nga këto gjashtë hapa që nuk janë zbatuar, pesë prej tyre, ose 83 për qind, kanë të bëjnë me miratimin e ligjeve në Kuvend. Hapi i vetëm që lidhet me qeverinë është Strategjia për Luftimin e Krimit të Organizuar, e cila për arsye procedurale nuk mund të miratohet nga një qeveri në detyrë dhe kërkon që qeveria të jetë në kapacitet të plotë. Me fjalë të tjera, pothuajse të gjithë hapat që nuk kanë arritur të zbatohen në afatin shtesë janë si pasojë e mosfunksionimit dhe bllokadës në Kuvend”, u shpreh ai.
Zulfaj në fund tha se mosrealizimi i këtyre reformave mund t’i kushtojë Kosovës dhjetëra milionë euro, ndërsa shuma përfundimtare do të përcaktohet nga Komisioni Evropian.
“Kostoja e përllogaritur e mosarritjes së realizimit në kohë të këtyre gjashtë hapave llogaritet të jetë mbi 40 milionë euro. Vlera e saktë do të përcaktohet nga vlerësimi i Komisionit Evropian, varësisht nëse ai do t’i marrë parasysh edhe nënhapat që janë zbatuar. Ne do të paraqesim të gjitha argumentet dhe progresin e arritur gjatë procesit të vlerësimit”, përfundoi ai.
Kosova mbajti zgjedhjet me 7 qershor dhe rezultatet ende nuk janë certifikuar nga KQZ. Sot PZAP ka refuzuar pesë ankesa në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve. Në rast se nuk ka ankesa në Gjykatën Supreme, atëherë KQZ-së i hapet rruga për të certifikuar rezultatet dhe për konstitumin e Kuvendit të Kosovës./lajmi.net/