Mos fol për Kosovën në Beograd

Sali Berisha i thotë Kryeministrit Edi Rama që të mos flasë në emër të Kosovës, kur ta vizitojë Beogradin. Sipas tij, Kosova i ka përfaqësuesit e vet të zgjedhur. Ai rikujton se kohërat e Enver Hoxhës kanë marrë fund.

Lajme

15/01/2014 21:24

Ish Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha i ka thënë pasardhësit të tij, Edi Rama, se nuk ka mandat për të folur për Kosovën në Beograd, në vizitën e cila është paralajmëruar se do të ndodhë muajin e ardhshëm.

Berisha, i cili shkruan dhe komenton në Facebook pothuaj për secilin zhvillim politik në Kosovë, sot u mor me këtë vizitë e cila u paralajmërua dje nga Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivan Mrkic.

“Zoti Mrkiç, Rama nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë mandat për të diskutuar në Beograd për Kosovën. Kohërat e Hoxhës kanë marrë fund!”

“Sot Beogradi njoftoi nëpërmjet ministrit te jashtëm Mrkiç se Edi Rama do realizojë në shkurt vizitën e tij në Beograd, të shtyrë për arsye enigmatike nga muaji nëntor.”

“Pas marrëveshjeve Prishtinë – Beograd të firmosura në Bruksel janë krijuar mundësi reale për një bashkëpunim të gjerë rajonal. Në këtë kontekst, Tirana dhe Beogradi duhet të bëjnë përpjekje për zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të gjerë bilateral në interesin më të mirë të dy vendeve”.

“Por përfshirja e Kosovës në agjendën e takimit bilateral Tiranë – Beograd, siç njoftoi zoti Mrkiç, është absolutisht e dënueshme”.

“Kosova e pavarur ka përfaqësuesit e vet me legjitimitet kombëtar dhe ndërkombëtar dhe nuk mund të përfaqesohet nga asnjë përfaqësues i Shqipërisë apo ndonjë vendi tjetër për interesat e saj në Beograd. Zoti Mrkiç dhe Edi Rama duhet ta dinë mirë se kohërat kur Beogradi diskutonte me përfaqësuesit e Shqipërisë për Kosovën kanë marrë fund”, ka thënë ish Kryeministri Shqiptar, Sali Berisha.