Monument i skandaleve: Dodik nderon mohuesin e gjenocidit Çurkin në zemër të Sarajevës Lindore
Presidenti i Republikës Sërpska dhe i arratisuri nga drejtësia e Bosnjë dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, ka njoftuar se më 8 korrik në Sarajevën Lindore do të zbulohet një monument në nder të ish-ambasadorit rus në OKB, Vitalij Çurkin, i njohur për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë. Monumenti do të zëvendësojë pllakën përkujtimore që ishte vendosur…

Lajme
Presidenti i Republikës Sërpska dhe i arratisuri nga drejtësia e Bosnjë dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, ka njoftuar se më 8 korrik në Sarajevën Lindore do të zbulohet një monument në nder të ish-ambasadorit rus në OKB, Vitalij Çurkin, i njohur për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë.
Monumenti do të zëvendësojë pllakën përkujtimore që ishte vendosur në Sarajevën Lindore në vitin 2017.
“Kjo do të shprehë mirënjohje ndaj njeriut të madh që pengoi miratimin e rezolutës për Srebrenicën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e cila duhej ta karakterizonte popullin serb si gjenocidal,” tha Dodik.
Në një deklaratë për agjencinë TASS, Dodik shtoi se Republika Sërpska dhe populli serb do të jenë përjetësisht mirënjohës ndaj diplomatit rus, i cili, sipas tij, “qëndroi në mbrojtje të së vërtetës”.
Si përkujtesë, më 8 korrik 2015, Vitalij Çurkin, si përfaqësues i përhershëm i Rusisë në Kombet e Bashkuara, vuri veton ndaj një rezolute britanike mbi Srebrenicën. Në atë kohë, ambasadorja amerikane Samantha Power e quajti veton ruse “një njollë të re në reputacionin e Këshillit të Sigurimit”.
Vitalij Çurkin ndërroi jetë më 20 shkurt 2017 në Nju Jork, vetëm një ditë para ditëlindjes së tij të 65-të.