Momenti i kthesës?

Një dialog politik i strukturuar, dy vendime të rëndësishme dhe ndryshimi i Kushtetutës dhe i disa ligjeve të Kosovës duket që mund të ndryshojë thelbësisht gjendjen në vend.

Opinion

10/03/2016 19:52

Duhet të jesh një optimist konsekuent, i papërmirësueshëm, si thuhet, për të qenë i sigurtë që në politikën kosovare, në javët në vijim, mund të ndodhë kthesa e madhe, e cila do ta kthente këtë politikë, dhe, rrjedhimisht, këtë vend, në rrethana të cilat tashmë klasifikohen si normale, apo të rëndomta.

Megjithatë, javës së fundit, ka shenja të mjaftueshme, në këtë anën publike të politikës vendore, të cilat shërbejnë për fillimin e mëkëmbjes së besimit të lëkundur me themel  (përndryshe), tek qytetarët e rëndomtë të Kosovës, që politika do të përpiqet t’i kthehet mënyrës së vetme të adresimit dhe zgjidhjes së problemeve më të mëdha të Kosovës.

Çka ka ndodhë në Kosovë, në politikën e saj, tash e sa kohë, kjo është e qartë për të gjithë ata që sado pak marrin vesh nga politika. Gjë të panjohur këtu nuk ka, edhe pse e njohura këtu rëndom ngulfatet nga deklaratat e shigjetuara për ta rrëzuar për toke të vërtetën për rrëmujën e fabrikuar politike. Kur bëhet aq shumë zhurmë në një vend, është e pamundur të dëgjohen zëri i kujdoqoftë. Ku ka zhurmë dhe rrëmujë, nuk mund të ketë qartësi dhe rregull. E Kosovës dhe politikës së saj, si asnjëherë më parë, realisht, i duhet qartësia dhe rregulli.

Në atë rast, ta zëmë, nëse këndejpari do të mbizotërojë, në dy anën e politikës kosovare, të clat nuk duhet të rrijnë skajeve, por duhet të gravitojnë kah qendra  (e orientimeve të proklamuara politike të të gjitha subjekteve parlamentare), një qasje racionale dhe pragmatike, atëherë, nuk do të jetë shumë vështirë për të mbërritë tek konkludimet të cilat do të synonin t’i gjejnë shkaqet e krizës më të re politike në vend, dhe mënyrat e tejkalimit të saj.

Poqëse njëmend do të ketë pak vullnet dhe pak më shumë dije politike, e cila ndryshe është atypari, tek të gjitha entitetet politike, si të kalojë zjarrmia që është në fuqi prej vjeshtës së vitit të kaluar, do të mund të bëhej një veçim tepër i rëndësishëm i cili pastaj, do të hapte udhë për instalimin e një procesi ligjor dhe politik që do të mundësonte që Kosova të dëshmojë një pjekuri politike, cilësi kjo aq e munguar këtu tek ne.

Së pari pra, në këtë kontekst, do të duhej krijuar rrethanat për bërjen e një dialogu politik, pa kurfarë parakushtesh, duke lënë hapur trajtimin e të gjitha temave. Komunikimi i drejtpëdrejtë midis kryeprotagonistëve të politikës kosovare, përmes mekanizmave të cilët do të krijoheshin në këtë rrafsh, është i pazëvëndësueshëm. Politikanët e Kosovës, në të kaluarën e vendit, në rrethanat që objektivisht, kanë qenë shumë më të rënda se këto të viteve të fundit, kanë ditur fare mirë t’i tejkalojnë teket, hujet, inatet, tek e fundit, edhe atë logjikën e natyrshme të konkurencës politike, në dobi të vendit, të qëndrueshmërisë së Kosovës. Këtë duhet ta bëjnë edhe tash, veçmas kur dihet që tani, vetëm ata janë përgjegjës për shtetin e Kosovës.

Së dyti, në këtë komunikimin e drejtpërdrejtë që do të duhej të vendosej sa më parë, kur do të mbizotërojë arsyeja dhe interesi i përgjithshëm, do të kuptohej që Kosova si shtet, ka probleme reale, të cilat njohin anën e qartë legale, dhe atë anën tjetër politike.

Nuk duhet të jesh farë eksperti i çështjeve kushtetuese, ta zëmë, për ta ditur që ka telashe të shumta me procedurat e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, të cilat janë trashëgimi e vet përmbajtjes së Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Krijimi i një Komisioni të veçantë parlamentar që do të mirrej me këtë temë, dhe me ofrimin e zgjidhjeve legale, qoftë edhe duke propozuar Amandamentet kushtetuese, apo edhe duke ndryshuar mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, është i domosdoshëm.

Pastaj, Kosova ka probleme serioze edhe me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, i cili duhet të ndryshohet thelbësisht, ndërsa, përvoja me Sistemin zgjedhor që është në fuqi, që nga viti 2007-të, pra, me atë të Listave të hapura, nuk është aspak e mirë. Për më shumë, jemi dëshmitarë të një degradimi të vazhdueshëm në aplikimin e këtij Sistemi zgjedhor, i cili mundëson manipulime të të gjitha llojeve.

Duket që edhe këtu, në trajtimin e kësaj teme, do të duhet krijuar një Komision të veçantë parlamentarë për shtjellimin e të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me Ligjin për zgjedhje të përgjithshme.

Këto do të mund të ishin dy vendimet e para të dialogut politik në Kosovë, gjithsesi duke krijuar edhe afatet kohore brenda të të cilave duhet ndryshuar Kushtetutën dhe Ligjet që trajtojnë këto çështje.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)