Molliqaj sulmon ashpër Kurtin: A je gati që me serbët që i quaje “çetnik” ta rrëzojmë qeverinë?

Deputeti  i PSD-së, Dardan Molliqaj ka vazhduar me sulmet ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajme

05/06/2018 12:23

Në seancën e sotme ai foli për spekulimet që po dalin në pah për mundësinë e zgjedhjeve të reja.

Molliqaj ka cituar tutje Albin Kurtin kur në një deklaratë publike i kishte quajtuar “çetnik” zyrtarët e Listës Serbe.

I ka bërë thirrje VV-së që nëse i marrin nënshkrimet e serbëve për rrëzimin e qeverisë, votat do t’ia jap edhe PSD-ja.

“Me aq sa di partitë opozitare bashkë me deputetët e pavarur i kanë 58 deputetë, 52 i ka koalicioni. Dhe 9 deputetë janë të Listës Serbe, por ata vazhdojnë të jenë në qeveri. Të gjithë na që jemi në opozitë, e ata në pushtet janë ndi keq kur qeveria është kriju me ndihmën e Listës Serbe”, tha Molliqaj, raporton lajmi.net.

“A e ka ndërru Vetëvendosja qëndrimin për këtë punë, apo janë gati me çetnikë me rrëzu qeverinë e Kosovës. Në emër të PSD i përgjigjem VV që nëse këta janë gati dhe i marrin nënshkrimet e Serbëve, qysh sot ua japim nënshkrimet përm rrëzimin e qeverisë”, theksoi Dardan Molliqaj.

Ai gjithashtu akuzoi VV-në edhe për koalicionin me PDK-në.

Molliqaj theksoi se ky koalicion ka vazhduar edhe sot.

Ka bërë thirrje te opozita që të bashkohen dhe të ndërtojnë strategji për zgjedhjet. /Lajmi.net/