Molliqaj rreth Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë: Qëllimi nuk është drejtësia por shantazhi
Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate, ka thënë se përmes Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, qëllimi nuk është drejtësia por shantazhi dhe mirëmbajtja e diskursit “qe 20 vjet”.

Lajme
Molliqaj ka shtuar duke thënë se gjuetia për dallimin e parave të ndershme nga të pistat po bëhet cenim për qytetarin dhe liritë e tij, shkruan lajmi.net.
“Zyrtarët janë në shënjestër, sepse qëllimi nuk është drejtësia, por shantazhi dhe mirëmbajtja e diskursit “qe 20 vjet”. Gjuetia për dallimin e parave të ndershme nga të pistat, për ta kërkuar këtë pasunarin me moral, po bëhet cenim për qytetarin dhe liritë e tij. Problem bëhet kur subjekte e njerëz e ulin kokën dhe e pranojnë këtë instancë gjykimi, duke synuar të fitojnë pafajësi”, ka thënë pos tjerash Molliqaj.
Postimi i plotë:
Të gjithë janë potencialisht hajna. Me përjashtim të kujt? Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme i ka në shenjë zyrtarët e shtetit. Por, këta zyrtarë kujt i kanë shërbyer? Nëse nga një kontratë apo punë tjetër e paligjshme zyrtari i shtetit ka përfituar dhjetëra mijë euro, pronari i biznesit nga e njejta fiton miliona. Sepse secila mito dhe secili favor biznesit i ka shkuar. Zyrtarët janë në shënjestër, sepse qëllimi nuk është drejtësia, por shantazhi dhe mirëmbajtja e diskursit “qe 20 vjet”.
Të gjithë zyrtarët e deklarojnë pasurinë tash sa kohë. Me ligjin e ri të gjithë janë nën llupën e Byrosë, por as kjo nuk mjafton. Tash duhet me e deklaru pasurinë edhe mjekët dhe profesorët. Pse jo edhe mësuesit e policët nesër. Gjuetia për dallimin e parave të ndershme nga të pistat, për ta kërkuar këtë pasunarin me moral, po bëhet cenim për qytetarin dhe liritë e tij. Problem bëhet kur subjekte e njerëz e ulin kokën dhe e pranojnë këtë instancë gjykimi, duke synuar të fitojnë pafajësi.
Borgjezi i pastër, ky është subjekti që implikohet si i vërtetë nga diskursi antikorrupsion. Ai që t’thotë me mendjemadhësi se unë jam aksionar (paramendo aksionar) në shtet meqenëse paguaj taksa. /Lajmi.net/