Molliqaj: Prokuroria të nis hetimet, Albin Kurti deklaroi rrejshëm se është veteran i luftës
PSD ka mbajtur sot një aksion para objektit të Qeverisë së Kosovës, ku ndër të tjerash kanë vendosur pankarta në të cilat shkruhej se kryeministri Albin Kurti, është veteran i rrejshëm.

Lajme
Pas kësaj, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, është deklaruar para mediave ku tha se kryeministri Albin Kurti, është vetë veteran i rrejshëm, i cili ka falsifikuar dokumentet dhe se tani ka nisur një fushatë kundër kësaj çështje për të cilat sipas tij ka mashtruar vetë.
“Prej se ekziston kjo çështje janë dy grupime kryesore që kanë trajtu këtë çështje. Ata që e kanë kundërshtuar luftën e UÇK-së i kanë akuzuar ushtarët e UÇK-së, i kanë përbaltosur ata, e të cilët e përdorin një keqpërdorim që ka ndodhur nga disa veteranë të rrejshëm këtë çështje për të sulmuar UÇK-në. Dhe janë një grup i dytë, pra mbështetësit e luftës së UÇK-së, pra vetë luftëtarët të cilët kanë pasur poashtu kritike për manipulim që ka ndodhur”, tha ai.
Sipas Molliqaj, kryeministri Kurti bën pjesë në grupin e parë për shkak se kryeministri Kurti e rihap këtë çështje atëherë kur po diskutohet çështja financiare.
“Kryeministri Kurti veteranët e luftës së UÇK-së i sheh si barrë për shtetin e Kosovës. Kryeministri e di se ka vetëm dy rrugë për t’u zgjidhur ky problem”, shtoi Molliqaj.
Tutje ai tha se kryeministri Kurti dëshiron të sulmojë veteranët e vërtetë të UÇK-së dhe mundohet të denigrojë luftën e UÇK-së.
“Ne mendojmë se në momentin kur kryeministri Kurti e nis këtë çështje dhe nuk e ka të qartë se si do të bëhet pastrimi i saj, kjo është për të sulmuar veteranin e vërtetë të UÇK-së, është për të denigru luftën.Ne besojmë se kjo është absolutisht e vërtetë. Për të gjithë ata që nuk e dinë, Albin Kurti është zyrtarisht veteran i UÇK-së. Unë e kam marr ligjin me vete, pra për veteranët e UÇK-së dhe është Neni 1.32.Albin Kurti është angazhuar në UÇK në gushtin e vitit 1998 , përkatësisht në zyrën e përfaqësuesit politik të Adem Demaçit, ndërsa është tërhequr nga UÇK-ja dhe nga kjo zyre më 2 mars 1999. Pra rreth tre muaj para përfundimit të luftës.Albin Kurti mund të jetë pjesëtarë i UÇK-së, por nuk është veteran i UÇK-së dhe Albin Kurti ka mashtruar. I njëjti ligj për ata të cilët kanë mashtruar thotë kështu. ‘Çdo person që me vetëdije paraqet deklaratë të rreme apo prezanton dokumente të falsifikuara me qëllim të përfitimit të të drejtave apo benificioneve duhet të përballet me ligjin’.”, deklaroi Kurti.
Poashtu Molliqaj tha se Albin Kurti ka deklaruar rrejshëm sepse ai është tërhequr nga UÇK-ja me 2 mars, ndërsa u arrestua nga Serbia me 7 prill 1999.
“Pra, nëse duam të flasim për veteranët e rrejshëm, veterani i rrejshëm është Albin Kurti. Ne e ftojmë prokurorinë që të nis qysh sot hetime të njëhershëm për shkak se ekzistojnë dokumente se kur është arrestuar, tërhequr e gjithçka. I sigurojmë të gjithë ata që duan të baltosin e denigrojnë luftën e UÇK-së dhe të veteranëve do ti kundërshtojmë me fakte, argumente, por edhe me bindjet tona të thella.Nëse sot dhe nesër nuk fillojnë hetimet nga Prokuroria, për shkak se ekzistojnë prova materiale për deklarim të rrejshëm, atëherë ne në fillim të javës do të bëjmë kallëzim penal ndaj kryeministrit për falsifikim në këtë proces, për çështjen e veteranit të UÇK-së. Kryeministri i Kosovës është veteran i rrejshëm që do ti sulmojë veteranët e vërtetë. Sepse po të ishte ai që dëshiron t’i heq veteranët e rrejshëm s’do të bëhej vetë.”, shtoi Molliqaj./Lajmi.net/