Molliqaj nesër proteston bashkë me OVL-UÇK, e quan Kurtin veteran të rrejshëm

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në protestën e nesërme të paralajmëruar nga OVL e UÇK-së lidhur me vendimin e qeverisë për rritjen e pagës minimale në Kosovë. Vendimi do t’i lë veteranët me të ardhura mujore nën rrogën minimale, çka ka shkaktuar pakënaqësi.

Lajme

05/06/2022 19:24

Molliqaj thotë se qeveria dhuroi miliona për biznese të mëdha, ndërsa harroi tërësisht veteranët duke i lënë nën pagën minimale.

“Nesër do të protestoj! Nesër do të protestoj. Bashkë me veteranët e UÇK-së që shteti i braktisi. Bashkë me ata që na e sollën lirinë e përpjekjen e të cilëve qeveria po e dënon. Bashkë me ata, të vetmit që shteti nuk i ndihmoi fare gjatë krizave t’kësaj kohe.”, shkruan Molliqaj.

Tutje Molliqaj e quan Kurtin “veteran të rrejshëm” dhe shton se kryeministri i ka sulmuar vazhdimisht ata.

“Dha para me miliona për biznese të mëdha, kurse veteranët don t’i lë edhe nën pagën minimale. Sepse nuk i do. Sepse kurrë s’e deshti luftën e tyre. Prandaj i sulmoi vazhdimisht. Ani pse vetë është veteran i rrejshëm. Nesër do të jemi në shesh, bashkë me ata që jetën e tyre e lanë peng për lirinë tonë. Dhe do të jemi bashkë me ta, përherë. Sepse lufta e tyre është projekti i lirisë, i barazisë e i progresit”, shtoi ai./Lajmi.net/