Modernizimi i administratës publike është thelbësor për besimin në institucionet publike
Shkruan: Erna Hasangjekaj
Opinion
Kuadri aktual strategjik për reformat e administratës publike përfundon këtë vit dhe kjo shënon një mundësi të mirë për të ndërtuar një kuadër të ri strategjik që prioritetizon modernizimin e administratës publike. Modernizimi i administratës publike duhet përfshinë dimensionin e brendshëm të reformave, përkatësisht menaxhimin e burimeve njerëzore, si dhe dimensionin e jashtëm, që ka të bëjë me digjitalizimin dhe racionalizimin e shërbimeve publike, duke përfshirë reduktimin e barrës administrative si dhe ndryshimin e politikave aktuale në lidhje me kontestet administrative. Këto reforma tejet të rëndësishme për të sjell shtetin më afër qytetarit si dhe për të rritur besimin e tyre në institucionet publike.
Kuadri aktual strategjik i reformave në administratën publike përbëhet nga katër strategji: Strategjia për Modernizimin e Administratës Publike (SMPA 2015-2020); Strategjia e Rregullimit më të Mirë (SRM 2017-2021); Strategjia për Përmirësimin e Planifikimit dhe Koordinimit të Politikave (SPPKP 2017-2021) si dhe Strategjia e Reformës së Menaxhimit të Financave Publike (SRMFP 2016-2020). Strategjia për Trajnimin e Nëpunësve Civilë ishte një dokument strategjik mbështetës. Këto katër strategji mbulojnë pesë shtyllat kryesore të prioriteteve të reformës, në përputhje me Parimet e Administratës Publike të zhvilluara nga OECD/SIGMA.
Qeveria zbaton një qasje bazuar në tre shtylla: shtylla e parë përfshin të gjitha prioritet e reformave në lidhje me zhvillimin dhe koordinimin e politikave dhe legjislacionit, me Zyra e Kryeministrit ka përgjegjësinë kryesore për të menaxhuar dhe koordinuar procesin e reformës. Dy strategji mbulojnë reformat në shtyllën e parë: SRM 2017-2021 dhe SPPKP 2017-2021. Shtylla e dytë përfshin të gjitha reformat që kanë të bëjnë me shërbimin civil dhe menaxhimin e burimeve njerëzore në administratën publike, ofrimin e shërbimeve publike, si dhe llogaridhënien dhe transparencën e administratës publike. Ish Ministria e Administratës Publike, aktualisht Ministria e Punëve të Brendshme (MIA), ka përgjegjësinë kryesore për të menaxhuar dhe koordinuar procesin e zbatimit të reformave nën këtë shtyllë.
Reformat e Administratës Publike kanë ngecur në dy vitet e fundit si rezultat i zhvillimeve politike, duke përfshirë zgjedhjet e parakohshme në vitin 2019 si dhe ndikimi i pandemisë Covid-19, sidomos gjatë vitit 2020. Mirëpo, ajo që kanë dëshmuar këto situata është sa thelbësor është modernizimi i administratës publike. Gjatë kohës së pandemisë, nevoja që shteti tu shërbej qytetarëve dhe komunitetit të biznesit ishte mjaft e qartë. Digjitalizimi i shërbimeve publike si dhe i proceseve administrative brenda qeverisë është tejet i rëndësishëm. Në këtë drejtim janë ndërmarr disa hapa të rëndësishëm, duke përfshirë zhvillimin e një platforme të interoperabilitetit që mundëson ndërlidhjen e sistemeve qeveritare. Krahas kësaj në fillim të vitit 2019, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar tre ligje qendrore për reformat në administratën publike, duke përfshirë edhe Ligjin për Zyrtarët Publik që ndryshon në mënyrë rrënjësore procedurat e rekrutimit në shërbimin publik. Tash e tutje, rekrutimi në shërbimin civilë është i centralizuar si dhe i digjitalizuar. Këto ndryshime janë një hapë i duhur, por duhet të punohet më shumë. Vullneti politik për reforma në administratën publik është një parakusht për sukses.
Autorja është drejtoreshë e Departamentit për Reforma në Administratën Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme.