MMPHI pezullon të gjitha memorandumet e nënshkruara gjatë këtij viti me komunat

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI-së) ka marrë vendim që të pezullojë të gjitha memorandumet e nënshkruara mes kësaj ministrie dhe komunave të Kosovës gjatë vitit 2021.

Lajme

11/05/2021 13:10

Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media zëvendësministri i këtij dikasteri, Hysen Durmishi, i cili tha se deri tek ky vendim kanë ardhur për shkak se këto memorandume nuk kanë qenë të analizuara mirë, dhe për të rritur buxhetin për përfundimin e disa projekteve që janë zvarritur me vite.

Vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti, ai tha se janë nënshkruar memorandume me komunat në vlerë prej 18 milionë e 500 mijë euro.

Durmishi tha po ashtu se kanë shumë borxhe të shpronësimit, gjë që po u shkakton shumë probleme në realizimin e kontratave pasi nuk kanë përfunduar me kohë shpronësimet, dhe tani çdo vonesë e këtyre pagesave paguhet me kamatë.

“Kemi borxh 182 milionë euro për shpronësime në ndërkohë që në buxhet i kemi 7.2 milion euro për këtë vit. Kjo ka shkaktuar shumë probleme në realizimin e shumë kontratave sepse nuk kanë përfunduar me kohë shpronësimet dhe janë shpallur shumë kontrata pa ndonjë analizë paraprake se si do të bëhen pagesat. Ka shumë vendime përfundimtare që kanë kaluar afatin dy vjeçar dhe tani çdo vonesë e këtyre pagesave paguhet me kamatë. Kemi kredi e kontrata ndërkombëtare dhe çdo vonesë shkakton dëmtim të buxhetit… Për të rritur buxhetin për shpronësime ne duhet që të zvogëlojmë buxhetin për disa projekte të cilat kanë qenë të parapara me buxhet. Ne kemi marrë vendim që të pezullojmë të gjitha memorandumet me komunat që janë nënshkruar në vitin 2021. Këto memorandume janë nënshkruar pa u analizuar mirë”, tha ai.

E për disa projekte, tha se nuk janë bërë as elaboratet e shpronësimit.

“Gjithashtu ka edhe shumë vendime të gjykatave për projekte që janë bërë në të kaluarën pa shpronësim fare, në fakt për disa projekte nuk janë bërë as elaboratet e shpronësimit. P.sh. rruga nga Prishtina e deri te rrethi te QMI nuk ka fare elaborate shpronësimi dhe tani kanë filluar të vijnë vendime të gjykatave për pronat në të cilat është ndërtuar rruga. Raste të tilla i kemi për 12 rrugë në territorin e Kosovës… Për të rritur buxhetin për shpronësime ne duhet që të zvogëlojmë buxhetin për disa projekte të cilat kanë qenë të parapara me buxhet. Ne kemi marrë vendim që të pezullojmë të gjitha memorandumet me komunat që janë nënshkruar në vitin 2021. Këto memorandume janë nënshkruar pa u analizuar mirë”, tha Durmishi.

Ai tha se duhet të rishikojnë buxhetin në mënyrë që të ndajnë buxhet shtesë për shpronësime sidomos për tri kategori kryesore, e që janë: vendimet gjyqësore, vendimet që i kanë kaluar 2 vite dhe kontratat që janë me kredi.

Ai arsyetoi vendimet e marra si nevojë për krijimin e mundësive për realizimin e disa projekteve që janë zvarritur me vite të tëra, siç janë rruga Prishtinë – Mitrovicë dhe rruga Prishtinë – Podujevë.