Mllefoset në serbët e Veriut

Ivica Dacic fton serbët të marrin pjesë në zgjedhje, në të kundërtën nuk do të kenë përkrahje nga Serbia. Ai ka thënë se pjesëmarrja e serbëve në rivotim në Veri të Mitrovicës do të shmangë zgjedhjen e një shqiptari në krye të kësaj Komune.

Lajme

07/11/2013 13:32

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic u ka bërë apel serbëve të Veriut të Mitrovicës që të dalin në rivotim më 17 nëntor, pasi që, siç ka thënë, “ashtu qysh te lypin, edhe do ta gjejnë”.

Ai ka thënë se, mungesa e pjesëmarrjes së komunitetit serb në rivotim, do të lejojë zgjedhjen e një shqiptari në krye të komunës.

“Le ta bajnë me shëndet kryetarin shqiptar nëse nuk dalin në zgjedhje”.

Dacic ka thënë se serbët e veriut duhet të dalin në zgjedhje “jo për shkak të qeverisë (së Serbisë), por se bëhet fjalë për fatin e tyre dhe të fëmijëve”.

Ai u ka thënë se nëse ata mendojnë që kryetar komune duhet ta kenë një shqiptar dhe se “e gjithë Serbia gabon lidhur me ata dhjetë mijë njerëz”, atëherë ata “nuk meritojnë një pozicion konkret”.

“A mendon dikush që Serbia do të sakrifikojë të ardhmen për 10 mijë njerëz”.

“Serbët e pjesës veriore të Kosovës do të vetëdijesohen pasi që nuk është çështja lidhur me pikëpamje statusore, por mbijetesën e tyre”.

“Serbia gjendet në zjarr, sepse nuk po e kuptojmë nëse duhet ndihmuar atyre apo çfarë të bëjmë? T’u vëmë sanksione? Nuk po e dimë se kë po e dëgjojnë? Ata nuk po e dëgjojnë as Beogradin e as Prishtinën, por as komunitetin ndërkombëtar. Pra nuk po e di se kë po e dëgjojnë? Kështu që qysh te lypin, ashtu edhe do ta gjejnë”.

Kryeministri serb ka vlerësuar se “është tepruar me heroizëm pa bazë” dhe se është “katastrofale” mënyra se si “serbët nuk dëshirojnë të marrin atë që i ofrohet”.

“Deri më tani Serbia ka dhënë krejt çka ka pasur mundësi nga vetja, më shumë se kaq nuk mundet”.