MKRS ushtron kallëzim penal ndaj Përparim Ramës për projektin “Ishulli Urban”: Cenon 2.5 milionë euro buxhetin e shtetit
Ministria e Kulturës, Rinis dhe Sportit e Republikës së Kosovës (MKRS), ka ngritur kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, më pretendimin se ka cenuar buxhetin e shtetit përkatësisht MKRS-së prej 2.5 milionë euro, lidhur me projektin “Ishulli Urban”. Sipas kallëzimit penal të ushtruar më 27 dhjetor 2024, kryetari Rama ka keqpërdorur…
Lajme
Ministria e Kulturës, Rinis dhe Sportit e Republikës së Kosovës (MKRS), ka ngritur kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, më pretendimin se ka cenuar buxhetin e shtetit përkatësisht MKRS-së prej 2.5 milionë euro, lidhur me projektin “Ishulli Urban”.
Sipas kallëzimit penal të ushtruar më 27 dhjetor 2024, kryetari Rama ka keqpërdorur pozitën zyrtare pasi ka tejkaluar kompetencat e tij, kur jashtëligjshëm ka lidhur kontratën prej mbi 6.5 milionë euro për projektin “Ishulli Urban”, pa leje të ndërtimit, pa leje të organeve të trashëgimisë kulturore për ndërhyrje në sipërfaqe me status të mbrojtur sipas ligjit vital, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Duke shkelur me dashje vendimin e Kuvendit Komunal Prishtinë, me ç ‘rast ka ekzekutuar shumën prej 1,156,299,19€ dhe ka cenuar buxhetin e shtetit prej 2.5 milion euro”, thuhet në kallëzimin penal të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.
Aty pretendohet se Rama ka vepruar në kundërshtim të plotë me Ligjin për Ndërtim, Ligjin për Trashëgimi Kulturore, Ligjin për Vetëqeverisje Lokal, Parimin e Mirëbesimin.
MKRS, në kallëzim penal ka thënë se që nga viti 2021 ka qenë në planifikim të një ideje për ndërtimin e një objekti të përbashkët për Teatrin e Operës dhe Baletit të Kosovës (TOB) bashkë me Komunën e Prishtinës. Sipas tyre, palët janë takuar disa herë për të parë mundësinë e lokacionit për ndërtimin e Teatrit, ku MKRS kishte paraqitur dy lokacione një tek Pallati i Rinisë dhe një tek Rilindja.
Ndryshe, MKRS më 3 shkurt 2025 me ceremoni të veçantë e prezantoi projektin fitues për ndërtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit, i cili do të projektohet nga arkitekti Biarke Ingels dhe studio e tij BIG.
Në kallëzimin penal thuhet se, në një takim të përbashkët, kryetari Rama kishte insistuar që lokacioni të ishte Pallati i Rinisë, ndërsa bashkërisht do të inkuadronin dy projektet atë të Teatrit të Operës dhe Baletit me një projekt tjetër.
Propozimi i kryetarit Rama, sipas këtij kallëzimi penal ishte që përmes projektit të Teatrit të sigurohet ndërlidhja me Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në njërën anë dhe me trotuarin në rrugën “Tirana” në anën tjetër, për çka thuhet se MKRS këtë kërkesë e ka realizuar në tërësi.
“Andaj, për të formalizuar këtë dakordim, përmes një akti administrativ/vendimi të vlefshëm të Kuvendit Komunal te Prishtinës, të krijohej siguri juridike për realizim e projektit të TOB, e më pastaj MKRS të vazhdoj tutje me procedurat sipas Prokurimit Publik”, thuhet në kallëzim penal.
MKRS, thuhet se më 28 tetor 2022, kishte shpallur konkurs ndërkombëtar për projektim të këtij Teatri, por që më 30 janar 2024 thuhet se është anuluar pasi të gjitha ofertat ishin vlerësuar si të papërgjegjshme. Për t’u rishpallur më 19 shkurt 2024, ku edhe më 31 tetor 2024 kishte njoftuar për dhënie të kontratës operatorit ekonomik “GOE BIG Partners Ltd &ALB Arichitect”.
Sipas MKRS-së, palët kanë qenë në dijeni se vendi i propozuar në pjesën perëndimore të Pallatit të Rinisë me sipërfaqe prej 2 hektarësh ka qenë i destinuar për Teatrin e Operës dhe Baletit. Edhe sipas vendimit për caktimin e lokacionit, thuhet se parashihen obligimet për kryetarin e Komunës, drejtorin e Planifikimit Strategjik dhe drejtorin e Kadastrit.