Mjekëve në Belgjikë të infektuar me koronavirus u kërkohet të vazhdojnë të punojnë ndërsa numri i rasteve rritet

Të paktën 10 spitale në qytetin më të goditur të Liege po kërkojnë nga stafi mjekësor i infektuar që është asimptomatik të vazhdojnë punën.

Bota

27/10/2020 19:28

Rreth një e katërta e mjekëve dhe infermierëve mendohet të jenë të infektuar me virusin në qytet, njoftoi “Independent”, transmeton lajmi.net.

Dr Devos, i cili është kreu i Shoqatës Belge të Sindikatave Mjekësore, tha se megjithëse ekziston rreziku i transmetimit, është opsioni i vetëm i qytetit për të parandaluar shembjen e sistemit spitalor “brenda ditësh”.

Ministri i Shëndetësisë Frank Vandenbroucke javën e kaluar tha se Belgjika mund të përballet me një ‘cunami’ të rasteve të reja.

Kryeministri Alexander De Croo tha se situata në vend është më serioze sesa ishte në mars, kur vendi zbatoi një bllokim kombëtar.

“Ne kemi tre herë më shumë njerëz në kujdes intensiv në spitale. Kështu që situata në spitale është e rëndë. Do të vazhdojë të përkeqësohet”, tha De Croo, transmeton lajmi.net.

Pothuajse 12,500 raste të reja po raportohen mesatarisht çdo 24 orë, treguan shifrat e lëshuara të hënën për javën nga 16-22 tetor, krahasuar me rreth 5,000 në ditë dy javë më parë.

Mesatarisht gjatë javës së fundit, 42 njerëz vdiqën nga virusi çdo ditë, duke e çuar numrin e të vdekurve në 10,810 në një vend me një popullsi prej rreth 11.5 milion njerëz.

Pothuajse 5,000 njerëz janë aktualisht në spitale, më shumë se 750 prej tyre në kujdes intensiv, sipas të dhënave të fundit.

Belgjika raportoi mbi 15,000 infeksione të reja ditore dje, duke i çuar rastet e saj totale në 321,000. Shtatëdhjetë e tre njerëz vdiqën në të njëjtën periudhë kohore, duke shkaktuar vdekjen totale në 10,810. /Lajmi.net/