Mjekë ndërkombëtarë për ‘Grupin e Drenicës’

Të gjithë të akuzuarit për krime lufte në të ashtuquajturin rasti i “Grupit të Drenicës” janë ekzaminuar nga një ekip i mjekëve ndërkombëtarë. Mjekët ndërkombëtarë pritet të dalin me një raport, duke bërë të qartë se cila është gjendja shëndetësore e këtyre të akuzuarve.

Lajme

02/07/2014 09:59

Kryetari i Trupit Gjykues për rastin e “Grupit Drenica”, Darius Silicki ka vendosur që ekzaminimet shëndetësore për pjesëtarët e këtij grupi t’i bëjnë mjekët ndërkombëtarë, duke shprehur kështu mosbesimin e tij ndaj diagnozave të caktuara nga mjekët vendorë.

Javë më parë Silicki kishte urdhëruar që të akuzuarit Sami Lushtaku, Sylejman Selimi dhe të tjerët të kontrollohen nga mjekët ndërkombëtarë që njëherë e mirë të dihet gjendja e tyre shëndetësore, pasi që në vazhdimësi të akuzuarit janë ankuar për gjendjen e tyre shëndetësore, raporton “Zëri”.

Misioni i EULEX gjithashtu ka konfirmuar për gazetën se se Gjykata ka urdhëruar që të bëhen vlerësime profesionale mjekësore për të akuzuarit nga mjekë ndërkombëtarë.

Por, mjekët ndërkombëtarë do të analizojnë raportet paraprake mjekësore dhe më pas do të përpilojnë një raport të tyre.

Avokati i njërit prej të akuzuarve Sahit jasharit, Tahir Rrecaj ka thënë për “Zëri” se klienti i tij është kontrolluar nga mjekët ndërkombëtarë, por se ai nuk i është nënshtruar asnjë lloj analize.

“Ata nuk kanë bërë analiza apo diçka të ngjashme. Ka qenë thjesht një shikim provizor i gjendjes dhe nuk kanë kontrolluar në detaje. Por me sa e dimë ata do të përpilojnë një raport, të cilin ne nuk e kemi marrë ende”.

“Ne nuk e dimë zyrtarisht se pse është bërë një kërkesë e tillë që të ketë ekip të mjekëve ndërkombëtarë, por që kanë qenë ndërkombëtarë më ka treguar klienti im. Ne nuk e dimë arsyen se pse është formuar ky ekip, por thjesht mund të ketë qenë ndonjë dyshim nga ana e tyre”, ka thënë avokati Rrecaj.