“Mjedis i sigurtë” – Ambasada e Britanisë vlerëson koordinimin midis KFOR-it dhe FSK-së për operacionin në Ujman
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka reaguar pas koordinimit ndërmjet KFOR-it dhe FSK, në kuadër të operacionit të kërkim-shpëtimit për 33-vjeçarin që u hodh në Liqenin e Ujmanit. Në një njoftim zyrtar, ambasada britanike vlerëson bashkëpunimin si një shembull pozitiv të koordinimit ndërinstitucional dhe përgëzon KFOR-in për ofrimin e mbështetjes, si dhe FSK-në…

Lajme
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka reaguar pas koordinimit ndërmjet KFOR-it dhe FSK, në kuadër të operacionit të kërkim-shpëtimit për 33-vjeçarin që u hodh në Liqenin e Ujmanit.
Në një njoftim zyrtar, ambasada britanike vlerëson bashkëpunimin si një shembull pozitiv të koordinimit ndërinstitucional dhe përgëzon KFOR-in për ofrimin e mbështetjes, si dhe FSK-në për aftësitë profesionale të dëshmuara gjatë operacionit, raporton lajmi.net
“Operacioni është dëshmi e përsosmërisë së aftësive të kërkim-shpëtimit të FSK-së dhe në përputhje me marrëveshjet afatgjata midis KFOR-it dhe FSK-së,” thuhet në deklaratë.
Ambasada shpreh gjithashtu ngushëllime familjes së viktimës dhe nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes KFOR-it, FSK-së, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it në funksion të një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët.
Ndryshe nga Ambasada e Gjermanisë, ambasada britanike nuk ka bërë asnjë koment mbi debatin lidhur me politizimin e pranisë së FSK-së në veri të Kosovës.
Njoftimi i plotë i ambasadës:
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar vlerëson koordinimin pozitiv midis misionit KFOR të udhëhequr nga NATO dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), pas autorizimit nga Komandanti i KFOR-it që FSK të vendosë ekipe kërkim-shpëtimi me qëllimin specifik të ndihmës në rastin tragjik të një personi të zhdukur në Liqenin Ujman/Gazivoda.
Operacioni është dëshmi e përsosmërisë së aftësive të kërkim-shpëtimit të FSK-së dhe në përputhje me marrëveshjet afatgjata midis KFOR-it dhe FSK-së.
Ne e përgëzojmë KFOR-in për ofrimin e mbështetjes dhe sigurisë gjatë gjithë këtij operacioni dhe i shprehim ngushëllime familjes së burrit që fatkeqësisht humbi jetën.
Mbretëria e Bashkuar mbështet plotësisht misionin e KFOR-it për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë.
Bashkëpunimi i ngushtë midis KFOR-it, FSK-së dhe reaguesve të tjerë të sigurisë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, është jetik për suksesin e misionit të KFOR-it./Lajmi.net/