Mitrovicë e Jugut: Arrestohet një person pasi dyshohet se i ofroi 20 euro policit për t’i shpëtuar gjobës

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për dhënie ryshfeti, pasi dyshohet se i ka ofruar një zyrtari policor 20 euro në këmbim të mosshqiptimit të një gjobe. Sipas Policisë, rasti ka ndodhur gjatë mbajtjes së një pike kontrolli, ku zyrtarët policorë kanë ndaluar një automjet, drejtuesi i të cilit kishte tejkaluar shpejtësinë…

Lajme

08/08/2026 17:26

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për dhënie ryshfeti, pasi dyshohet se i ka ofruar një zyrtari policor 20 euro në këmbim të mosshqiptimit të një gjobe.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur gjatë mbajtjes së një pike kontrolli, ku zyrtarët policorë kanë ndaluar një automjet, drejtuesi i të cilit kishte tejkaluar shpejtësinë e lejuar.

Derisa policët ishin duke përgatitur gjobën për kundërvajtjen në trafik, i dyshuari, mashkull dhe shtetas i Republikës së Serbisë, dyshohet se u ka ofruar zyrtarëve një kartëmonedhë prej 20 eurosh, me qëllim që të shmangte shqiptimin e gjobës.

I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në zbatimin profesional dhe të paanshëm të autorizimeve ligjore, si dhe në ndërmarrjen e veprimeve ndaj çdo veprimi që cenon integritetin e zyrtarëve policorë dhe zbatimin e ligjit. /Lajmi.net/