Mitrovica e Veriut i kthehet fushatës
Katër kandidatët për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut do të fillojnë nesër fushatën e tyre për zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen të dielën më 23 shkurt. Janë gjithsej 28.429 qytetarë që do të kenë të drejtë vote.

Lajme
Nesër nis fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Në këtë garë marrin pjesë Goran Rakic nga Lista Serbe, Oliver Ivanovic nga Iniciativa Qytetare “SDP”, Musa Miftari nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Florent Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Në bazë të të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të bëra në zgjedhjet e nëntorit, të drejtë vote për zgjedhjet e së 23 shkurtit kanë 28.429 qytetarë.
Fushata zgjedhore do të zgjasë vetëm pesë ditë dhe fillon nesër më 17 shkurt dhe vazhdon deri në pasditen e së premtes më 21 shkurt.
Kandidati më i përfolur këto ditë për shkak të arrestimit të tij për krime lufte, Oliver Ivanovic, ka publikuar sloganin e tij për këtë fushatë: “Me fitore deri në liri”.
Kandidati i Listës Serbe, Goran Rakic, ka deklaruar se do të ndjekë një fushatë korrekte dhe se pret të fitojë në këto zgjedhje.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për Komunën e Veriut të Mitrovicës të 23 shkurtit vijnë si rezultat i refuzimit të fituesit të zgjedhjeve të rregullta, Kandidatit të Listës Serbe, Krstimir Pantic, për të bërë betimin para simboleve shtetërore të Kosovës.