Misioni vëzhgues i BE-së kritikon ashpër anëtarët e KQZ-së: Mbrojten interesat partiake, rrezikuan pavarësinë e KQZ-së

Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të 9 shkurtit i ka kritikuar ashpër anëtarët e KQZ-së. Në raportin që është publikuar të enjten, vëzhguesit e BE-së kanë vlerësuar se gjatë procesit zgjedhor anëtarët e KQZ-së nuk e kanë respektuar ligjin, por kanë mbrojtur interesin e partive të tyre politike. Në këtë mënyrë, sipas…

Lajme

17/05/2025 17:59

Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të 9 shkurtit i ka kritikuar ashpër anëtarët e KQZ-së.

Në raportin që është publikuar të enjten, vëzhguesit e BE-së kanë vlerësuar se gjatë procesit zgjedhor anëtarët e KQZ-së nuk e kanë respektuar ligjin, por kanë mbrojtur interesin e partive të tyre politike.

Në këtë mënyrë, sipas raportit, ata kanë rrezikuar pavarësinë dhe paanshmërinë e institucionit që i organizon dhe administron zgjedhjet në Republikën e Kosovës.

Pavarësisht nga propozimet politike, legjislacioni zgjedhor i obligon anëtarët e KQZ-së të kryejnë detyrat e tyre në mënyrë të paanshme dhe parashikon disa masa për të garantuar pavarësinë dhe profesionalizmin e tyre. Megjithatë, EU EOM vërejti raste të ndikimit politik në procesin e vendimmarrjes së KQZ-së, me anëtarë individualë që vepronin si mbrojtës të interesave të subjektit që i ka propozuar ata, duke rrezikuar pavarësinë dhe paanshmërinë e KQZ-së”, është thënë në faqen 16 të raportit.

Po në të njëjtën faqe, raporti vijon me kritika tjera ndaj përbërjes aktuale të KQZ-së.

Sipas raportit, anëtarët kanë ndërhyrë edhe në detyrat e Sekretariatit të KQZ-së.

Modele të tilla u demonstruan gjatë certifikimit të garuesve në zgjedhje, aprovimit të disbursimit të fondeve publike për partitë politike dhe emërimit të organeve të nivelit më të ulët. EU EOM më tej vërejti tendenca të përsëritura të përbërjes aktuale të KQZ-së për të interpretuar gjerësisht kompetencat e saj dhe për të vepruar jashtë fushës së mandatit të saj, duke zgjeruar autoritetin e saj vendimmarrës dhe duke ndërhyrë në detyrat e Sekretariatit dhe Zyrës së KQZ-së. Kjo u mundësua për shkak të mungesës së qartësisë në disa dispozita të LZP”, është thënë në raport.

Për të eliminuar këto ndërhyrje në të ardhmen, vëzhguesit e BE-së kanë rekomanduar disa masa.

Të forcohen masat mbrojtëse ligjore në lidhje me anëtarësinë dhe sjelljen e zyrtarëve të zgjedhjeve për të garantuar paanshmërinë dhe pavarësinë e administratës zgjedhore. Përgjegjësitë administrative, organizative dhe teknike të KQZ-së i bart Sekretariati i KQZ-së, i cili është drejtuar nga një ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv për shkak të pamundësisë së KQZ-së për të caktuar një të ri”, është thënë në raport, duke përmendur rekomandime tjera për KQZ-në.

KQZ-ja duhet të sigurojë emërimin me kohë të stafit në pozitat kyçe për të mbështetur kapacitetet operacionale në fushat kryesore shumë përpara zgjedhjeve. Duke funksionuar brenda strukturave të KQZ-së, megjithëse gëzon pavarësi funksionale, Zyra e Regjistrimit, Certifikimit dhe Kontrollit Financiar të Subjekteve Politike (“Zyra”) është përgjegjëse për mirëmbajtjen e regjistrit të partive politike, certifikimin e subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhje dhe monitorimin dhe kontrollin e financave të subjekteve politike”, thuhet ndër të tjera në raport.

Partitë nuk i ndryshojnë përfaqësuesit

Pavarësisht kritikave të vëzhguesve të BE-së, partitë politike nuk do t`i ndryshojnë përfaqësuesit e tyre në KQZ.

Përbërja e re e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të jetë me anëtar të vjetër. Kjo pasi partitë politike parlamentare kanë propozuar për anëtarë të ri të KQZ-së zyrtarët e njëjtë.

Javë më parë, gazeta Nacionale ka mësuar se tashmë të gjitha grupet parlamentare i kanë dërguar për dekretim te presidentja Vjosa Osmani kandidatët e tyre.

Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi sërish do të përfaqësojnë Lëvizjen Vetëvendosje në KQZ-së.

Sjellja jo e mirë e këtyre dy zyrtarëve ndaj mediave dhe shoqërisë civile nuk i ka penguar partisë së Albin Kurtit që përsëri të njëjtit t`i dërgojë në KQZ.

Madje, VV-së nuk i ka penguar as fakti që Sami Kurteshi, më 5 qershor, në bazë të Ligjit të Punës, del në pension.

Njëjtë ka vepruar edhe Partia Demokratike e Kosovës. Gazeta ka mësuar se kjo partitë ka nominuar përsëri Arianit Elshanin dhe Ilir Gashin për anëtarë në institucionin që organizon zgjedhjet në Kosovë.

As Lidhja Demokratike e Kosovës nuk dëshiron ndryshimin e zyrtarit që deri me tani e ka përfaqësuar në KQZ. Partia e Lumir Abdixhikut për dekretim në Presidencë e ka dërguar emrin e Sami Hamitit.

AAK-ja ka vepruar ndryshe prej tri partive të mëdha, transmeton nacionale.

Ky subjekt politik nuk do të ia vazhdojë mandatin Ibrahim Selmonajt. Partia e Ramush Haradinajt ka propozuar Muharrem Nitajn për anëtar të ri në KQZ.

Edhe partitë politike nga komunitetet i kanë propozuar kandidaturat e tyre.

Gazeta ka mësuar se Partia e Re Demokratike (NDS) për anëtar në KQZ ka propozuar Almir Saitin, Partia Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) ka propozuar Myfera Shiniku dhe Partia e Romëve të Bashkuar të Kosovës ka propozuar Alfred Kinolli.

Gjithashtu, mësohet se Lista Serbe e ka dërguar në Presidencë emrin e anëtarit që aktualisht përfaqëson këtë subjekt politik në KQZ.

KQZ-ja përbëhet nga prej njëmbëdhjetë anëtarëve: një kryetar jopartiak dhe dhjetë anëtarë të emëruar nga partitë politike të përfaqësuara në kuvend.

Sipas Ligjit për Zgjedhje, kryetari i KQZ-së emërohet nga shefi i shtetit nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme.

Gjashtë anëtarë emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare të partive shqiptare.

Kurse, katër anëtarë nga deputetët që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kosovë.

Mandati i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është i lidhur me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë tregon se presidentja e vendit është e obliguar që jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për Kuvend të ua kërkojë grupeve parlamentare propozimet për anëtarë të KQZ-së.