Misioni vëzhgues i BE-së: Fushata zgjedhore ishte dinamike por e njollosur nga retorika e ashpër dhe gjuha nxitëse
Në raportin final të Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian thuhet se fushata zgjedhore e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit ka qenë dinamike duke u njollosur retorika e ashpër dhe gjuha nxitëse. Sipas këtij raporti, në zonat me shumicë serbe të Kosovës, kushtet sociale mbeten të rënda, duke krijuar hapësirë për Serbinë dhe…

Lajme
Në raportin final të Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian thuhet se fushata zgjedhore e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit ka qenë dinamike duke u njollosur retorika e ashpër dhe gjuha nxitëse. Sipas këtij raporti, në zonat me shumicë serbe të Kosovës, kushtet sociale mbeten të rënda, duke krijuar hapësirë për Serbinë dhe Listën Serbe që të ushtrojnë presion të papërshtatshëm mbi votuesit.
Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Natalie Loiseau tha se kanë vërejtur politizim të institucioneve kyçe të përfshira në zgjedhje.
Ajo potencoi se bazuar në vëzhgimet dhe standardet ndërkombëtare, raporti përfundimtar ofron nëntëmbëdhjetë rekomandime për të përmirësuar më tej kuadrin dhe praktikën zgjedhore në Kosovë.
Rekomandimin e parë Loiseau përmend forcimin e garancive ligjore në lidhje me anëtarësinë dhe sjelljen e zyrtarëve zgjedhorë për të siguruar paanshmërinë dhe pavarësinë e administratës zgjedhore.
“Fushata ka qenë dinamike, por kemi vërejtur një rritje të pluralizmit politik, por periudha dinamike e fushatës në një farë mënyrë u njollos nga retorika e ashpër dhe gjuha nxitëse. Ne kemi vëzhguar raste të ndërhyrjeve të huaja në procesin zgjedhor. Ne po ashtu kemi marrë raport mbi votuesit në zonat me shumicë serbe. Ne kemi vërejtur politizim të institucioneve kyçe të përfshira në zgjedhje. KQZ fillimisht dështoi të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet dhe për të aprovuar financimin e partive me kohë. Në javët para ditës së zgjidhjeve paraliza e Komisionit të Pavarur të Mediave KPM la shkelje të pa sanksionuara. Pavarësia e mediave është vitale për demokraci të gjallë, derisa ne kemi vërejtur pluralizëm mediatik. Sektori i mediave përballet me sfida, përfshirë edhe fluskat e informacionit brenda vijave të komuniteteve etnike”, tha Loiseau.
Gjatë prezantimit të raportit, Loiseau theksoi se gratë ishin në mënyrë të veçantë të shënjestruara nga gjuha e urrejtjes. Sipas saj, personat me aftësi të kufizuara vazhduan të përballen me pengesa për të votuar në mënyrë të pavarur, duke përfshirë edhe vendvotimet që nuk janë të qasshme.
“Gratë gjithashtu ishin në mënyrë të veçantë të shënjestruara nga gjuha e urrejtjes. Hapësira për komunitetet jo-shumicë, veçanërisht ato më të vogla, po ngushtohet. Edukimi i votuesve nuk u ofrua në mënyrë të qëndrueshme në gjuhët e komuniteteve jo-shumicë dhe disa komunitete raportuan se ishin të nën-përfaqësuara në komitetet e vendvotimeve. Personat me aftësi të kufizuara vazhduan të përballen me pengesa për të votuar në mënyrë të pavarur, duke përfshirë edhe vendvotimet që nuk janë të qasshme. Bazuar në këto vëzhgime dhe standardet ndërkombëtare, raporti ynë përfundimtar ofron 19 rekomandime për të përmirësuar më tej kuadrin dhe praktikën zgjedhore në Kosovë. Ne kemi identifikuar gjashtë rekomandime prioritare. Këto janë në fusha ku veprimi është më urgjent dhe me ndikim”, Loiseau.
Nga nëntëmbëdhjetë rekomandimet e raportit final, shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Natalie Loiseau listoi gjashtë prej tyre, duke filluar me atë për forcimin e garancive ligjore në lidhje me anëtarësinë dhe sjelljen e zyrtarëve zgjedhorë për të siguruar paanshmërinë dhe pavarësinë e administratës zgjedhore.
Ndër rekomandimet që Loiseau përmendi është futja e përkufizimeve të qarta ligjore të termave kyç, duke përfshirë ato që lidhen me gjuhën nxitëse dhe përcaktimin e mbështetësit të subjektit politik brenda procesit zgjedhor
“Së pari, forcimi i garancive ligjore në lidhje me anëtarësinë dhe sjelljen e zyrtarëve zgjedhorë për të siguruar paanshmërinë dhe pavarësinë e administratës zgjedhore. Së dyti, kufizimi dhe specifikimi më tej i përgjegjësive të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Sekretariatit të KQZ-së dhe komisioneve komunale zgjedhore për të decentralizuar vendimmarrjen e administratës zgjedhore aty ku është e përshtatshme dhe për të siguruar efikasitetin dhe përkohshmërinë e funksionimit të saj. Së treti, kryerja e një auditimi të pavarur gjithëpërfshirës të listës së votuesve, duke përfshirë përmes analizës së brendshme të proceseve të regjistrimit dhe testimeve statistikore dhe në terren, në konsultim me palët përkatëse për të adresuar shqetësimet mbi saktësinë dhe për të rritur besimin e publikut. Së katërti, futja e përkufizimeve të qarta ligjore të termave kyç, duke përfshirë ato që lidhen me gjuhën nxitëse dhe përcaktimin e mbështetësit të subjektit politik brenda procesit zgjedhor”, tha Loiseau.
Përveç këtyre, Loiseau tha se emërimi i të gjithë anëtarëve të KPM-së në kohë dhe përmes një procesi konkurrues dhe transparent përzgjedhjeje bënë pjesë në rekomandimet e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian.
“Së pesti, emërimi i të gjithë anëtarëve të KPM-së në kohë dhe përmes një procesi konkurrues dhe transparent përzgjedhjeje. Së gjashti, themelimi i një sistemi të besueshëm dhe transparent për menaxhimin e rezultateve me procedura të qarta dhe të verifikueshme për të siguruar përpunimin e saktë të të dhënave të rezultateve dhe qasjen e menjëhershme në rezultatet preliminare, duke përfshirë të gjitha të dhënat përkatëse si pjesëmarrja në votime, votat e vlefshme dhe të pavlefshme”, potencoi Loiseau.
Bashkimi Evropian (BE) dërgoi një Mision për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EOM) për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare të nëntë shkurtit 2025 në Kosovë pas ftesës nga Presidentja e Kosovës. EOM ishte e pranishme nga tetë janari deri më njëzet e shtatë shkurt 2025.
EU EOM përbëhej nga një ekip kryesor prej dhjetë ekspertësh të vendosur në Prishtinë dhe tetëmbëdhjetë vëzhgues afatgjatë të cilët mbërritën më gjashtëmbëdhjetë janar dhe u vendosën në të gjitha rajonet e Kosovës. Tridhjetë e gjashtë vëzhgues afatshkurtër ishin të pranishëm nga data katër deri më katërmbëdhjetë shkurt dhe u shpërndanë në mbarë Kosovën.
Për ditën e zgjedhjeve, EU EOM u përforcua më njëzet e shtatë vëzhgues të rekrutuar në nivel vendi nga përfaqësitë diplomatike të shteteve anëtare te BE-së. Në total, EU EOM shpërndau njëqind e katër vëzhgues nga të njëzet e shtatë vendet anëtare të BE-së, si dhe nga vendet partnere, Kanadaja, Norvegjia dhe Zvicra.