Misetiq: ZPS nuk ka prova se Thaçi kishte njohuri për krime, as lidhje mes deklaratave publike dhe aktakuzës
Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdojnë deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes në rastin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve. Avokati mbrojtës i Thaçit, Lluka Misetiq, ka kundërshtuar pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke thënë se prokuroria nuk ka arritur të provojë se klienti i tij kishte njohuri për krime të…
Lajme
Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdojnë deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes në rastin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve. Avokati mbrojtës i Thaçit, Lluka Misetiq, ka kundërshtuar pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke thënë se prokuroria nuk ka arritur të provojë se klienti i tij kishte njohuri për krime të kryera nga anëtarë të UÇK-së.
Sipas Misetiqit, ZPS “nuk ka arritur as të provojë dhe as të pretendojë në mënyrë të qëndrueshme se Hashim Thaçi ka ditur që ndonjë anëtar i UÇK-së ka kryer krime specifike”. Ai theksoi se aktakuza nuk ka paraqitur prova për një “dyshim të arsyeshëm” se Thaçi kishte njohuri për krime konkrete të kryera nga persona që pretendohet se ishin vartës të tij.
Duke iu referuar pretendimeve se UÇK-ja nuk kishte ndërmarrë hetime apo masa disiplinore, Misetiq deklaroi se kjo çështje “nuk ka vlerë për vlerësimin e përgjegjësisë individuale të z. Thaçi”. Sipas tij, edhe nëse do të kishte mungesë veprimesh disiplinore, kjo nuk përbën provë se Thaçi kishte dijeni për krime specifike, shkruan lajmi.net.
Avokati mbrojtës kundërshtoi edhe pretendimin e ZPS-së se Thaçi ka kontribuar në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” përmes shpërndarjes së informacionit me qëllim nxitjen e frikës, pabesisë dhe urrejtjes. “ZPS nuk ka treguar se si deklaratat publike të z. Thaçi kanë kontribuar konkretisht në ndonjë nga krimet e paraqitura në aktakuzë. Nuk është paraqitur asnjë lidhje logjike mes fjalëve të tij dhe veprave penale që pretendohen”, ka deklaruar Misetiq.
Ai përmendi edhe të ashtuquajturën “Deklarata nr. 7”, ku flitet për “grushtin e pamëshirshëm” dhe “luftën speciale”, duke theksuar se prokuroria nuk ka paraqitur prova për autorësinë e atij teksti. “ZPS nuk ka ofruar prova të besueshme që e lidhin z. Thaçi me përgatitjen apo shpërndarjen e ndonjë komunikate apo deklarate publike, përfshirë këtë dokument. Nuk është treguar kush e ka shkruar atë tekst dhe mbi çfarë baze i atribuohet z. Thaçit”, është shprehur ai.
Sa i përket paraqitjes së Thaçit në nëntor të vitit 1998, Misetiq tha se ZPS e citon atë për të pretenduar nxitje, por “nuk ka treguar asnjë element konkret që përbën nxitje të krimeve”. Sipas tij, përmendja e “luftës speciale” apo aktiviteteve të kundërshtarëve nuk përbën në vetvete provë për përgjegjësi penale, transmeton lajmi.net.
“Fakti që z. Thaçi mund të ketë shprehur vlerësim për punën e KosovaPress gjatë kohës së spastrimit etnik nga forcat serbe apo gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s, nuk është bazë për të konkluduar se ai ka shfrytëzuar autoritetin e tij për të luftuar kundërshtarët politikë përmes mediave”, ka deklaruar Misetiq.
Mbrojtja hodhi poshtë edhe pretendimin se Thaçi ka drejtuar një mesazh të dyfishtë, duke mohuar ndërkombëtarisht një politikë të shënjestrimit, ndërsa ajo, sipas ZPS-së, propagandohej brenda strukturave të UÇK-së. “Si mund të pretendohet se deklaratat publike të Shtabit të Përgjithshëm propagandonin një politikë të tillë në mënyrë të brendshme, kur ato ishin publike? Dhe si është e mundur që bashkësia ndërkombëtare nuk ka parë një “politikë të shënjestrimit”, ndërsa thuhet se ajo ishte e dukshme brenda UÇK-së?”, ka pyetur Misetiq.
Lidhur me pretendimin se Thaçi nuk ka ndarë informacione me familjet e viktimave për të penguar hetimet, Misetiq deklaroi se ZPS “nuk ka treguar se z. Thaçi posedonte informacione që familjet nuk i kishin”. Ai shtoi se takimet e përmendura nga prokuroria nuk bien brenda periudhës së aktakuzës dhe, sipas tij, janë jashtë juridiksionit kohor të gjykatës dhe “nuk mund të përdoren për të mbështetur akuza të reja”.
Deklaratat e Misetiqit u bënë në kuadër të fazës së përmbylljes së mbrojtjes në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. /Lajmi.net/