“Mirënjohës ndaj ShBA-ve për kontributin historik në lirinë tonë” – Kurti i organizon drekë Prattipatit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar këtë javë një drekë pune me të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, si dhe me ekipin e saj, me rastin e Ditës së Falënderimeve. Kurti ka bërë të ditur se kjo është hera e dytë që mbahet një…
Lajme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar këtë javë një drekë pune me të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, si dhe me ekipin e saj, me rastin e Ditës së Falënderimeve.
Kurti ka bërë të ditur se kjo është hera e dytë që mbahet një takim në këtë format me përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së, pas atij të vitit të kaluar me ish-ambasadorin Jeffrey Hovenier. Ai ka shprehur dëshirën që ky organizim të shndërrohet në një traditë të përvitshme, transmeton lajmi.net
Kryeministri në detyrë ka theksuar mirënjohjen e thellë të institucioneve dhe popullit të Kosovës ndaj Shteteve të Bashkuara për kontributin historik në çlirimin e vendit, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e shtetit, shoqërisë dhe partneritetit të dyanshëm.
Në fund, Kurti ka uruar popullin amerikan me rastin e Ditës së Falënderimeve.
Postimi i plotë:
Në fillim të kësaj jave kisha kënaqësinë të shtroj një drekë për të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, së bashku me ekipin e saj, për Ditën e Falënderimeve.
Kjo është vetëm hera e dytë që mblidhemi në këtë format me miqtë dhe kolegët tanë nga Ambasada e ShBA-së. Hera e parë ishte vitin e kaluar me ish-ambasadorin Hovenier. Urojmë dhe synojmë që kjo të shndërrohet në një traditë shumëvjeçare.
Jemi gjithmonë dhe thellësisht mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara për kontributin historik në lirinë tonë, për rolin në zhvillimin e shtetit dhe shoqërisë sonë, edhe për partneritetin mes dy vendeve tona.
Gëzuar Ditën e Falënderimeve popullit amerikan!/lajmi.net/