Miratohet me vërejtje rregullorja e punës së Komisionerit Parlamentar për FSK-në
Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka miratuar draftin final të rregullores së punës së Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ky projektligj është miratuar me disa vërejtje të propozuara nga anëtarë të partive opozitare dhe asaj në pushtet. Derisa anëtarët e partive opozitare dhe atyre në pushtet u pajtuan njëzëri që…
Lajme
Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka miratuar draftin final të rregullores së punës së Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ky projektligj është miratuar me disa vërejtje të propozuara nga anëtarë të partive opozitare dhe asaj në pushtet.
Derisa anëtarët e partive opozitare dhe atyre në pushtet u pajtuan njëzëri që ta votojnë në procedurë të shpejtë, këtë projektligj, Shqipe Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje përmendi disa vërejtje, për çka u shpreh se nuk do të votojë pro.
Përveç kësaj, Selimi potencoi se kanë pranuar me vonesë projektligjin.
“Sa i përket rregullores së punës së zyrës së Komisionerit Parlamentar, mënyra e ftesës që na është bërë neve si deputet dhe prezantimi i rregullores ka qenë afati shumë i shkurtër kohor. Ne dje kemi marrë ftesën për takimin e sotëm, njëkohësisht e kemi marrë edhe rregulloren, më pak se 24 orë kemi pasur kohë ta shqyrtojmë, analizojmë dhe vërejtjet ose propozimet tona t’i japim në lidhje me këtë. I kam vërejtjet e mija në shtatë nene, në disa pika. Por, mbi të gjitha në gramatikën e kësaj rregulloreje. Gjuha shqipe është pothuajse e bastarduar në disa nene që nuk ishte dashur të ishte ashtu. Unë nuk jam njëra prej atyre që do ta votoj sot këtë rregullore, për arsyet e mija”, tha Selimi.
Ndërkaq, anëtari i këtij komisioni nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha kërkoi që në mënyrë emergjente ky projektligj të kalohet.
“Unë kam prirje më shumë ta përkrahim grupin punues që janë të thelluar në këto tema. Deputetja po kërkon edhe një takim t’i trajtojmë disa vërejtje të saj që ne nuk e dimë a ka vërejtje në ato që ne jashtë komisionit dhe grupit punës, as unë nuk jam i njoftuar shumë. Koha e shkurtër për ta lexuar, unë nuk e kam lexuar fare. Por, kam prirje t’iu besoj këtyre që kanë punuar aty…Unë e kisha proceduar në formë emergjente për ta kaluar edhe pasi ka konsensus politik të partive politike”, tha Berisha.
Pasi filluan diskutimet rreth vërejtjeve, komisioni vazhdoi të mbahet i mbyllur për media. Me përfundimin e tij, kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Anton Quni tha se pas shqyrtimit të vërejtjeve, anëtarët u dakorduan që të votojnë pro miratimit të rregullores së punës së Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Po bëhen 10 vite që ne po mundohem të funksionalizojmë institucionin e Komisionerit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Tani jemi në fazën e hartimit të ligjeve sekondare. Një ndër to është edhe rregullorja e cila e përkufizon punën e Komisionerit dhe zyrës së Komisionerit… Ne kemi ardhur deri tek një draft final, i cili kur është prezantuar në komision pati edhe disa vërejtje, nga disa anëtarë të komisionit. Ne i shqyrtuam ato vërejtje dhe ato që ishin të arsyeshme menjëherë u miratuan, duke i ndryshuar nenet, paragrafët, duke i plotësuar e të tjera. Në fund, të gjithë njëzëri e miratuam këtë rregullore… Kishte vërejtje që të gjithë kemi pasur rezerva, mëdyshje dhe së bashku erdhëm deri tek zgjedhja finale”, potencoi Quni.
Përveç kësaj, Quni tregoi për rëndësinë e miratimit të këtij projektligji.
“Komisioneri që në momentin kur të miratohet rregullorja e gëzon një buxhet dhe gëzon të drejtën të shpallë konkursin që të punësohen zyrtarët hetues, këshilltarët, nëpunësit e të tjerë. Zyra bëhet operacionale dhe bëhet adresë për të gjithë pjesëtarët e FSK-së dhe për pjesën e uniformuar brenda Ministrisë së Mbrojtjes nëse ata e kanë ndonjë shqetësim, për të cilin mendojmë që nuk është trajtuar brenda institucionit mundem t’i adresohen vetë Komisionerit “,tha Quni.