Miratohet lista e votuesve
KQZ ka certifikuar listën e votuesve. Në zgjedhjet e 3 nëntorit, kjo listë do të përmbajë 1.779.358 emra të votuesve, të ndarë në 38 komuna. Nga zgjedhjet e kaluara, ka një rritje prej 191.103 votuesve.
Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar sot listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e 3 nëntorit.
Edhe pse lista përfundimtare është miratuar, të gjithë ata që kanë bërë ankesa pas shqyrtimit të PZAP mund të jenë pjesë e kësaj liste.
Në zgjedhjet e 3 nëntorit lista e votuesve do të përmbajë 1.779.358 emra të votuesve të ndarë në 38 komuna me një rritje nga zgjedhjet e kaluara prej 191.103 votues.
Florian Dushi që ka qenë kryesues i kësaj mbledhje ka thënë se nuk ka asnjë mundësi që të shtyhet certifikimi i listës së votuesve.
“Nuk ka asnjë gjasë më ta shtyjmë tutje për shkak se listat e votuesve duhet të të përgatitën për zgjedhjet e 3 nëntorit”.
“Ne gjithë jemi të vetëdijshëm për mangësitë eventuale që lista e votuesve mund t`i ketë. Megjithatë kjo është ajo përfundimtarja të cilën sekretariati ka arritur ta përgatitë për këto zgjedhje të vitit 2013”.
“Shpresoj që në të ardhmen që me ndryshimet nevojshme do të kemi pëlqime për ta pasur një listë më të saktë të votuesve”.
Miratimin e kësaj liste e kanë refuzuar anëtarët Adnan Rrustemi nga Vetëvendosje dhe Nenad Rikalo nga SLS, për të cilën kjo ka qenë mbledhja e parë. Rrustemi ka thënë se të gjitha ndryshimet duhet të bëhen para aktit të certifikimit.
“Të gjitha ndërhyrjet dhe ndryshimet është dashur të bëhen para aktit të certifikimit”.
“Nuk ka logjikë që pas certifikimit të ndërhyjmë në listën e votuesve, të lejojmë largimin e emrave dhe futjen e emrave tjerë. Unë jam kundër certifikimit të listës së votuesve”.
Rrustemi gjithashtu foli edhe për vendimet e PZAP’it.
“24 orë i ka pasur votuesi që të ankohet, 72 orë i ka pasur PZAP të vendosë, u bënë më shumë se dhjetë ditë dhe ende nuk ka përfunduar 72 orëshi. Pse nuk kanë ardhur vendimet e PZAP deri sot? Unë mendoj që ka përfunduar afati dhe qëllimshëm dhe politikisht janë duke na shtyrë në një moment të fundit”.
Ndërsa Nenad Rikalo ka thënë duhet të pritet procesi ankimor.
“Kërkoj që ky proces ankimor të përfundojë dhe pastaj ta marrim një vendim a do ta miratojmë listën përfundimtare të votuesve ashtu siç është”.
“Duhet ta rregullojmë listën e pjesës së veriut dhe mos ta miratojmë këtë listë përfundimtare”.
Gjithashtu KQZ ka bërë akreditimin e vëzhguesve në dy grupe prej 4453 dhe 2230vëzhguesve, duke përfshirë këtu ata nga partitë politike, nismat qytetare, kandidatët të pavarur, ambasadat, organizatat ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare.