Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se ka intensifikuar procesin e verifikimit të njehsorëve elektrikë, pas themelimit të një komisioni ad hoc për trajtimin e ankesave të konsumatorëve.
Sipas njoftimit zyrtar, verifikimet laboratorike të kryera në Agjencia e Metrologjisë së Kosovës kanë nxjerrë disa gjetje kryesore. Është konstatuar se një pjesë e njehsorëve kanë pasur afat të skaduar të vlefshmërisë, ndërsa janë evidentuar edhe devijime kohore – prej 2–3 ditësh dhe deri në 10–11 orë krahasuar me kohën reale, transmeton lajmi.net.
Megjithatë, autoritetet theksojnë se matja e energjisë elektrike ka rezultuar e saktë dhe nuk ka ndikuar në konsum të regjistruar. Po ashtu, është vërtetuar se bllombat e njehsorëve kanë qenë të paprekura dhe pa dëmtime.
Pas këtyre gjetjeve, MINTI ka paralajmëruar se do t’i kërkojë Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ndërmarrjen e masave përkatëse. Ndërkohë, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, pritet të shqiptojë gjoba ndaj KEDS si pronar dhe operator i njehsorëve, për rastet kur është konstatuar skadimi i vlefshmërisë.
Në aspektin e ankesave, MINTI bën të ditur se deri më 30 mars 2026 nuk ishte regjistruar asnjë ankesë për njehsorët elektrikë. Megjithatë, vetëm gjatë dy ditëve të fundit pas krijimit të komisionit, janë pranuar 209 ankesa, të cilat aktualisht janë në proces verifikimi.
Ministria ka ritheksuar përkushtimin për të trajtuar çdo ankesë të konsumatorëve në mënyrë të bazuar në fakte dhe në përputhje me ligjin. Njëkohësisht, u është bërë thirrje qytetarëve që të paraqesin ankesat e tyre përmes emailit zyrtar, duke përfshirë të dhënat e kontaktit dhe adresën e banimit, në mënyrë që procesi i verifikimit të zhvillohet sa më shpejt dhe me efikasitet.
Komunikata e plotë:
MINTI shton masat në mbrojtje të konsumatorëve
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), pas themelimit të komisionit ad hoc për verifikimin e njehsorëve elektrikë të konsumatorëve, që kanë parashtruar ankesa në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, ju njofton se procesi i verifikimit është duke vazhduar me intensitet të lartë. Pas verifikimit laboratorik në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës të njehsorëve të parë janë konstatuar këto gjetje kryesore:
• Është vërtetuar se njehsorët kanë qenë me afat të skaduar të vlefshmërisë;
• Janë evidentuar devijime në datë prej rreth 2–3 ditësh krahasuar me kohën reale;
• Gjithashtu është konstatuar se ekzistojnë devijime prej rreth 10–11 orësh krahasuar me kohën reale;
• Matja e energjisë elektrike ka rezultuar të jetë në rregull dhe pa ndikim në saktësinë e konsumit të regjistruar;
• Është konstatuar se bllombat kanë qenë të paprekura dhe pa dëmtime.
Me të marrë raportin e gjetjeve, MINTI do të kërkojë zyrtarisht nga ZRRE (Zyra e Rregullatorit të Energjisë) marrjen e masave konform devijimeve të konstatuara. Ndërsa, duke u bazuar në Ligjin nr. 06/L-037, neni 23, paragrafët 4 dhe 5, si dhe neni 46, paragrafi 1.3, nënparagrafi 1.3.2, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) do të shqiptojë gjoba ndëshkimore ndaj KEDS-it, si pronar dhe shfrytëzues i njehsorëve, për çdo gjetje që lidhet me afatin e skaduar të vlefshmërisë së njehsorëve.
Për informimin tuaj të drejtë, ju konfirmojmë se Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, deri më datën 30.03.2026, nuk ka pranuar asnjë ankesë nga konsumatorët për njehsorët e energjisë elektrike. Ndërsa, pas formimit të komisionit verifikues, vetëm gjatë dy ditëve të fundit, pranë këtij departamenti janë pranuar 209 ankesa, për të cilat komisioni është duke kryer verifikimin.
MINTI mbetet e përkushtuar të trajtojë çdo ankesë të konsumatorit, të bazuar në fakte, dhe në përputhje me gjetjet e verifikimit do të ndërmarrë masa ligjore.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, konkretisht Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të parashtrojnë ankesat e tyre në adresën elektronike
[email protected], duke bashkëngjitur numrin e telefonit dhe adresën e banimit, në mënyrë që verifikimi të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur.
/lajmi.net/