MINT gjobit edhe me 25 mijë euro KEDS-in për shkak të njehsorëve elektrikë me afat të skaduar verifikimi
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përmes Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ka vazhduar aktivitetet e mbikëqyrjes dhe verifikimit të njehsorëve elektrikë në territorin e Republikës së Kosovës. Gjatë kontrolleve të realizuara së fundmi janë identifikuar edhe pesë njehsorë elektrikë me afat të skaduar të verifikimit metrologjik,…
Lajme
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përmes Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ka vazhduar aktivitetet e mbikëqyrjes dhe verifikimit të njehsorëve elektrikë në territorin e Republikës së Kosovës.
Gjatë kontrolleve të realizuara së fundmi janë identifikuar edhe pesë njehsorë elektrikë me afat të skaduar të verifikimit metrologjik, për çka ndaj operatorit ekonomik KEDS është shqiptuar gjobë në vlerë prej 25 mijë eurosh.
“MINTI dhe AMK theksojnë se verifikimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të garantimit të matjes së saktë të konsumit të energjisë elektrike, mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve dhe respektimit të standardeve ligjore dhe metrologjike në fuqi. Institucionet përgjegjëse mbeten të përkushtuara për të siguruar që çdo njehsor elektrik në përdorim të jetë i verifikuar dhe në përputhje me kërkesat ligjore, duke garantuar transparencë dhe besueshmëri në procesin e matjes së energjisë elektrike”, thuhet në njoftim.
MINTI u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që posedojnë dëshmi apo dyshime lidhur me funksionimin e njehsorëve elektrikë të vazhdojnë t’i adresojnë ankesat dhe informacionet e tyre përmes numrit +383 (0) 46 311 000 në Viber, si dhe përmes adresës elektronike [email protected]. /Lajmi.net/