Ministrja Gërvalla lirohet nga akuza për mosraportim të pasurisë
Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministre, është liruar nga akuza për mosraportim të pasurisë. Aktgjykimi ndaj Gërvallës është marrë të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga gjykatësi Dibran Jusufi, raporton “Betimi për Drejtësi‘. Gjykatësi tha se provat janë vlerësuar një nga një dhe u vërtetua se veprime për të…
Lajme
Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministre, është liruar nga akuza për mosraportim të pasurisë.
Aktgjykimi ndaj Gërvallës është marrë të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga gjykatësi Dibran Jusufi, raporton “Betimi për Drejtësi‘.
Gjykatësi tha se provat janë vlerësuar një nga një dhe u vërtetua se veprime për të cilën ngarkohet Gërvalla nuk përbëjnë vepër penale.
“Gjykata ka analizuar me vëmendje pretendimet e Prokurorisë, por me asnjë provë të vetme nuk gjen që janë përmbushur elementet e veprës penale”, tha gjykatësi Jusufi.
Zhvillimet nga kjo seancë:
Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministre, edhe në fjalën hyrëse u deklarua e pafajshme për mosdeklarim të pasurisë.
Ministrja Gërvalla ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Deklarimin rreth fajësisë, Gërvalla e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Paulin Pashku të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
E pyetur nga mbrojtësi i saj, avokati Granit Vokshi nëse qëndron prapa deklaratës së dhënë në Prokurori më 24 nëntor 2024, Gërvalla pohoi një gjë të tillë.
“Po, qëndroj pas asaj deklarate në tërësi”, tha Gërvalla.
Në anën tjetër, prokurori Pashku e pyeti ministren nëse qëndron prapa sqarimit që ka dhënë për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
“Ky sqarim ka qenë objekt i bisedës sime me Prokurorinë dhe prandaj duke qëndruar pranë deklaratës së dhënë në Prokurori, nuk do doja të flisja për këtë deklaratë pasi nuk i mbaj në mend të gjitha detajet e deklaratës, mirëpo meqenëse është e përfshirë në deklarimin tim të dhënë para Prokurorisë”, tha ajo.
Prokurori e pyeti se në sqarim ka thënë që bashkëshorti i saj nuk ka pasuri të luajtshme e as të paluajtshme mbi 3 mijë euro, andaj e pyeti nëse ai e ka pasur të njëjtën pasuri.
“Nuk e di saktë, por është e shënuar shifra në formular. Ai punon për Parlamentin gjerman. Sekreti i të ardhurave personale dhe të dhënave tatimore në shtetin Gjerman mbrohet më ligj, dhe prandaj unë kur kam bërë deklarimin fillestar menjëherë pas marrjes së detyrës kam menduar se ajo vlen edhe për Kosovë”, u përgjigj Gërvalla.
Ministrja tha se të hyrat ai i kishte vetëm nga të ardhurat e pagës vjetore nga puna e tij.
Kurse, e pyetur se si kaloi në emrin e saj pasuria e paluajtshme, Gërvalla theksoi se pasuria e familjes ishte ndarë në tri pjesë.
“Në momentin kur bashkësia familjare diku në vitin 2010, por nuk e di saktë është ndarë, atëherë axha im i madh, pasardhësit e axhës tim të dytë edhe ne kemi ndarë të gjithë pronën e paluajtshme në tre pjesë”, tha ministrja.
Kurse për biznesin, tha se e ka regjistruar në kohën e pandemisë, e që nuk e ka deklaruar ngase nuk ka pasur asnjë qarkullim.
“Atë biznes e kam regjistruar gjatë kohës së pandemisë me synimin që se bashku me vëllain tim i cili ofron shërbime grafike të ndërtoj një platformë për mësimin e gjuhëve. Kam punuar intensivisht me ketë platformë gjatë vitit 2021 në përgatitjen e materialeve për atë platformë dhe në janar të 2021 kam marrë vendimin të vij në Kosovë për zgjedhjet dhe nuk ka ndodhur asgjë me atë platformë. Arsyeja pse nuk e kam deklaruar sepse biznesi nuk ka pasur asnjë qarkullim, Nuk më ka shkuar mendja”, tha ajo.
Më pas, seanca vazhdoi me fjalën hyrëse të palëve në procedurë dhe po vazhdon me atë përfundimtare.
Në fjalën hyrëse, avokati Vokshi u shpreh se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet se kemi të bëjmë me një gabim krejtësisht teknik në deklarimin e pasurisë, i cili nuk hyn fare në sferën penale, por asaj kundërvajtëse.
“Nuk ka kurrfarë logjike që të pretendohet që ka vepër penale, një deklarim i cili mund të jetë i pasaktë, por assesi nuk kemi të bëjmë me një pasuri të fituar në mënyrë të kundërligjshme”, deklaroi Vokshi në fjalën hyrëse.
Avokati u shpreh se në raport me mosdeklarimin e pasurisë së burrit të saj, sipas Ligjit për të dhënat personale në Gjermani, këto informata janë të mbrojtura. Andaj, këto të hyra janë si rezultat i punës së tij në Bundestagun Gjerman dhe ngjashëm tha se qëndron situata edhe me modeklarimin e biznesit dhe pronës, duke e quajtur gabim teknik.
Kurse, prokurori i rastit, Paulin Pashka tha se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet se ministrja Gërvalla ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.
“Komunikimi përmes rrjetit social të të pandehurës me kushëririn e saj, ku qartazi rezulton fakti vendimtar se e pandehura e ka ditur saktësisht se çka disponon, por që ka vepruar në mënyrën e përshkruar në dispozitiv të aktakuzës”, tha prokurori.
Andaj, prokurori tha se mbi bazën e provave do të vërtetohet përgjegjësia penale e Gërvallës mbi veprën që i vihet në barrë.
“Gjatë leximit të aktakuzës, prokurori pranoi që në aktakuzë është përvjedhur një gabim, mirëpo që ky assesi nuk është gabimi i vetëm i kësaj aktakuze. I tërë narracioni i aktakuzës është thellësisht kontradiktor dhe krejtësisht i pambëshetshëm. Në vështrim të praktikës gjyqësore të etabluar tanimë në raste të ngjashme, realisht kemi pritur që Prokuroria të tërhiqet nga ndjekja penale, kjo ngase asnjëra nga elementet që e përbëjnë figurën e veprës penale me të cilën akuzohet znj.Gervalla-Shwarz, nuk janë plotësuar”, tha mbrojtësi i Gërvallës.
Sipas tij, nuk ka logjikë që të pretendohet se ka vepër penale një deklarim i cili mund të jetë i pasaktë por assesi s’kemi të bëjmë me pasuri të fituar kundërligjshëm.
“Sipas ligjit për të dhënat personale në Gjermani, këto informata janë të mbrojtura dhe se në asnjë formë nuk kemi këtu me pasuri të fituar kundërligjshëm, ngase këto të hyra janë si rezultat i punë së tij në Bundestagun Gjerman, ngjashëm qëndron situata edhe me gabim”, tha Vokshi.
Në këtë seancë, u dëgjua edhe zyrtarja e APK-së, Qëndresa Berisha, e cila tha se në shkresa të lëndës është deklarata e nënshkruar nga Gërvalla, ku theksohet lidhur me obligimet që dalin nga Ligji për Deklarimin e Pasurisë.
“Sipas shkresave të lëndës, në momentin e dorëzimit të formuluarit të deklarimit të pasurisë, me marrjen e detyrës shihet një deklaratë e cila është e nënshkruar nga e njëjta në të cilën theksohet se është e njoftuar lidhur me obligimet që dalin nga Ligji për Deklarimin e Pasurisë. Përveç kësaj, në shkresa të lëndës nuk ka diçka tjetër”, ka thënë dëshmitarja.
Sipas saj, në shkresat e lëndës nuk shihet që ka ndonjë komunikim deri në momentin e sqarimit që është kërkuar nga APK-ja lidhur me këtë mosdeklarim.
Lidhur me biznesin në Gjermani, dëshmitarja Berisha tha se Agjencia vepron në bazë të Ligjit për Agjencinë dhe Ligjin për Deklarimin e Pasurisë dhe kryen hetime administrative. Meqenëse biznesi është i regjistruar jashtë vendit, ajo tha Agjencia nuk ka kompetencë që të bëjë hetim jashtë territorit të Kosovës.
“Dhe në kallëzimin e ushtruar në Prokurori, theksohet se Agjencia nuk ka pas kompetencë për të bërë këtë verifikim, duke i lënë Prokurorisë që në fazat tjera të vërtetojë lidhur me biznesin në fjalë”, është shprehur ajo.
Zyrtarja e APK-së tha se të hyrat e bashkëshortit, Gërvalla i ka deklaruar në formularin e 2022-ës dhe jo të vitit paraprak.
“Është e saktë të hyrat e bashkëshorti të palës deklaruese janë të deklaruara në formulari e bërë në vitin 2022, por jo në atë të 2021”, u shpreh ajo.
Lidhur me përgjigjen e Gërvallës për parcelën në Dubovik, Berisha tregoi se APK-ja i ishte drejtuar me dy kërkesa ministres.
“Sa i përket pronës në Dubovik, Agjencia me dy kërkesa i është drejtuar palës deklaruese, fillimisht kërkesa e parë ka pas të bëjë me pasaktësi e cila në sqarimin e saj ka theksuar se në bazë të disa komunikimeve me zyrtarë nga Komuna e Deçanit, ka konfirmuar ato të dhëna të cilat i ka paraqit. Pas kësaj, Agjencia i është drejtu prapë më kërkesë duke i kërkuar informacione lidhur me ato komunikime, si dhe në atë nëse ka ndonjë certifikatë pronësie lidhur me këtë pasaktësi, e njëjtë në sqarimin e saj përveç asaj që ka theksuar që ato prona janë të evidentuara mirëpo sipërfaqen e saktë e ka keqkuptu ose ka pas ngatërresë me zyrtarin nga Komuna e Deçanit, duke i bashkangjitur edhe transkriptin e këtyre komunikimeve”, tha ajo.
Po ashtu, tha se këtij sqarimi ia ka bashkëngjitur edhe certifikatën e pronësisë e cila me atë që Agjencia e ka siguruar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës në të cilën shihet pasaktësisë me ato të deklaruara në formular.
“Me sa shihet në shkresat e lëndës, komunikimi i zhvilluar bëhet më shumë në aspektin e vendit se sa në numrat e saktë të sipërfaqes”, tha Berisha, duke shtuar se sipas formularit, prona deklarohet si e trashëguar.
Në fjalën përfundimtare, prokurori Pashku tha se formularët e deklarimit të të akuzuarës tregojnë shpërputhje në mbrojtjen e saj.
“Pjesërisht e ka pranuar edhe e pandehura, qoftë në deklarimin e saj në Prokurori, se në formularët e deklarimit të pasurisë, qartazi e tregojnë shpërputhjen dhe paqëndrueshmërinë e mbrojtjes së të pandehurës, e cila fillimisht fare qartë thotë se bashkëshorti i saj nuk ka pas pasuri të luajtshme apo të paluajtshme në vlerë mbi 3 mijë euro, ndërkohë që një vit më pas e deklaron pasurinë e saj me të ardhura personale në shumën prej pak më tepër se 53 mijë euro edhe çka edhe vetë e pandehura e vërteton se të njëjtën shumë të të ardhurave personale e ka poseduar edhe në atë kohë”, tha Pashku.
Sipas tij, lidhur me pronën, qëllimshëm është fshehur një pjesë nga deklarimi, e të cilën e deklaron më 2022 të plotë.
“Kjo provë ndërlidhet edhe me komunikimin elektronik mes Donikës dhe Xh.G.,, kushëririt të saj”, tha prokurori.
Ai kërkoi që Gërvalla të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas dënimit të paraparë me dispozitat e Kodit Penal, duke shtuar se e ka neglizhuar obligimin ligjor edhe pse ka qenë e detyruar ta përmbush këtë obligim.
Kurse, avokati i Gërvallës, në fjalën përfundimtare tha se nunk ka qenë qëllimi të fshihet pasuria, pasi të njëjtën e ka deklaruar më 2022. Për biznesin, tha se ka zero qarkullim.
Lidhur me aktakuzën, Vokshi tha se ka interpretim të njëanshëm dhe të pasaktë, dhe se me provat e administruar do të vërtetohet se nuk ekziston bazë faktike apo ligjore që vërteton elementet e veprës penale.
“Kjo për arsye se Prokuroria ka dështuar që të identifikojë qëllim kriminal për kryerjen e veprës penale, nje element i domosdoshëm ky i cili e përmben figurën e kësaj vepre. Gabimet teknike dhe pasaktësitë në deklarim nuk janë vepër penale. Deklarmi i rremë i pasurisë dhe deklarimi i pasaktë i pasurisë dallojnë”, tha ai.
Lidhur me të ardhurat e bashkëshortit, tha se Gërvalla ka pasur dilema nëse guxon t’i shpalosë të dhënat personale ë mbrojtura me ligj në Gjermani, por pas konsultimeve e ka bërë deklarimin më 2022.
Në fund, tha se me asnjë provë nuk vërtetohet pretentimi i Prokurorisë dhe presin që gjykata të marrë aktgjykim lirues ndaj Gërvallës.
E ministrja, tha se nuk ka pasur as qëllim e as dashje, por ka qenë një gabim teknik.
“As qëllim as dashje nga ana e ime, e ndërgjegjshme për gabimin teknik të bërë në secilën prej fazave si në Agjencion, ashtu edhe në Prokurori kam ofruar sqarime e mija shumë të detajuara duke shpresuar në një sqarim sa më të mirë të çështjes”, tha Gërvalla.
Në këtë rast, seanca e 7 nëntorit 2024 kishte dështuar për shkak se Gërvalla gjendej në vizitë zyrtare jashtë vendit.
Gjykata Themelore në Prishtinës më 19 qershor 2024 kishte konfirmuar aktakuzën për mosraportim të pasurisë ndaj Gërvallës, duke refuzuar kërkesën për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.
Më pas, Gjykata e Apelit, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së Gërvallës, duke vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte konfirmuar aktakuza ndaj saj.
Lidhur me akuzën për mosraportim të saktë të pasurisë, në seancën fillestare më 7 mars 2024, Gërvalla ishte deklaruar e pafajshme.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të përpiluar më 31 janar 2023 nga prokurori Astrit Gashi, Gërvalla ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike me obligim ligjor të deklarimit të pasurisë, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj.
Aktakuza thotë se e njëjta në këtë formular nuk ka deklaruar asnjë të hyrë-të ardhur të bashkëshortit të saj Stefan Schwarz edhe përkundër se të njëjtin e ka deklaruar si bashkëshort.
Tutje, në akuzë thuhet se Gërvalla nuk ka deklaruar në tërësi parcelën kadastrale-toka bujqësore në pronësi të saj në sipërfaqe prej 3964 m2 në ZK Dubovik-Komuna e Deçanit, duke e deklaruar vetëm sipërfaqe prej 2000 m2.
Po ashtu, Gërvalla sipas akuzës thuhet se nuk ka deklaruar as biznesin “Alb Lingua UG” e regjistruar në Bon të Gjermanisë në emër të saj.
Me këto veprime, Gërvalla akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 maj 2023 kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ka ngritur aktakuzë ndaj Gërvallës.
“Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, më 31.01.2023, ka ngritur aktakuzë ndaj D.G., për shkak të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe të njëjtën e ka proceduar në Gjykatë për trajtim të mëtejmë”, kishte konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.
Pasi u bë i ditur lajmi për ngritjen e aktakuzës, ministrja Gërvalla përmes një postimi në Facebook, tha se është përpjekje për të hedhur baltë mbi përfaqësuesit e institucioneve.
Ndryshe, më 2 tetor 2021, “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), nuk ka deklaruar të gjitha funksionet në institucione vendore e ndërkombëtare.
Katër muaj pas këtij hulumtimi, Agjencia Kundër Korrupsion (AKK), tani Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), kishte njoftuar se është ende duke trajtuar rastin e ministres Gërvalla.
Sipas këtij hulumtimi, rezultoi se Gërvalla nuk ka deklaruar se posedon biznes në Gjermani, nuk ka treguar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj.