Ministrja Bajrami: Po përmirësohet imazhi për investime
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka bërë me dije se ministria që drejton dhe Qeveria në përgjithësi janë duke punuar shumë për tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte (IHD).
Lajme
Ajo ka thënë se prej fillimit të vitit janë regjistruar rreth 200 kompani të huaja në ARBK. Bajrami ka shtuar se po angazhohen çdo ditë për përmirësimin e klimës së biznesit në vend.
Ajo ka treguar se Qeveria e Kosovës është duke punuar për hartimin e politikave të favorshme fiskale ndaj bizneseve. “Nëse flasim për investimet e huaja gjatë këtij viti dhe nëse i krahasojmë ato me vitin e kaluar, mund të themi se kemi ngritje të tyre, të cilat janë vërtetuar edhe nga publikimi i raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës”, është shprehur Bajrami.
Ajo në një bisedë për gazetën “Epoka e re”, ka bërë të ditur se për vitin 2015 buxheti i kësaj ministrie për tri kategoritë e para të zonave ekonomike që janë: zonat e lira ekonomike, parqet industriale si dhe parqet teknologjike është 480 mijë euro, ndërsa 150 mijë euro janë ndarë për kategorinë e inkubatorëve të biznesit.