Ministria ua cakton marzhën e fitimit për derivate- Shoqata e Naftëtarëve nuk pajtohen: Vendim i paqëlluar, bizneset mund të shkojnë deri në bankrotim
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dje ka nënshkruar vendimin për rregullimin e çmimeve të naftës në tregun vendor, duke vendosur, sipas saj, masa mbrojtëse për konsumatorët dhe për të garantuar konkurrencë të ndershme. Në njoftimin e Ministrisë së Tregtisë thuhet se është përcaktuar marzha maksimale e fitimit për shitjen me…

Lajme
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dje ka nënshkruar vendimin për rregullimin e çmimeve të naftës në tregun vendor, duke vendosur, sipas saj, masa mbrojtëse për konsumatorët dhe për të garantuar konkurrencë të ndershme.
Në njoftimin e Ministrisë së Tregtisë thuhet se është përcaktuar marzha maksimale e fitimit për shitjen me shumicë të naftës, e cila do të jetë 2 centë për litër, ndërsa për shitjen me pakicë, marzha maksimale do të jetë 12 centë për litër.
“Ky vendim i detyron subjektet për t’u furnizuar me produkte dhe për të ofruar për shitje produktet e naftës, pa ndërprerje, si dhe të respektojnë çmimet me marzhën tregtare maksimale të lejuar dhe tjera masat mbrojtëse, të përcaktuara”, tha Hajdari.
Por një gjë të tillë nuk e po e mbështesin naftëtarët e Kosovës, pasi thonë se kjo dëmton shumë bizneset e vogla duke thënë madje se i çon buzë bankrotimit.
“Vendimin te cilin e ka nxjerr MTI-ja është shumë gabim dhe i pa qëlluar”, tha për lajmi.net kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.
Berjani u shpreh se vendimi i MTI-se është i gabueshëm, pasi kompanitë e mesme dhe të vogla e pësojnë nga ky vendim dhe shumë lehtë mund t’i shkatërrojë bizneset.
“Vendimin te cilin e ka nxjerr MTI-ja është shumë gabim dhe i pa qëlluar, ju e dini se un kam qenë shumë transparent kur ka pas vendime te sakta. Situata e sektorit të naftës në tërë globin ka rënie – Ky vendim është i pa arsyeshëm dhe pa u konsultuar me shoqatën e Naftëtarëve Dhe vendim i gabuar që do t’i shkatërrojë bizneset. Apeloj se kompanitë e mëdha mundet vetëm me i lodh pak por kompanitë e mesme dhe te vogla mundet apo është qëllimi me i bankrotu”, tha Berjani për lajmi.net.
Ai tutje tha se duke parë gjendjen ekonomike në Kosovë, çmimi real i naftës do duhet të ishte 1 euro, por thotë se kjo nuk varet nga Qeveria e as shoqata e naftëtarëve, por varet nga organizata prodhuese OPEC.
Ai tutje tregoi edhe çmimin e naftës tani për tani e që është për naftë 1.18 cent, kurse benzina 1.19 cent deri në 1.28 cent.
“Ndryshe çmimet në tregun kosovar përafërsisht sillen: Diesel 1.18cent deri 1.29 cent, Benzinë 1.19cent deri 1.28 cent. Ndërkaq çmimet e derivateve në Shqipëri, Dieseli 1.89 cent dhe Benzina 1.88 cent. Ndërkaq në Serbi Dieseli 1.78. cent dhe benzina 1.79 cent. Per gjendjen ekonomike çfarë kemi në Kosovë çmimi real kishte me qenë 1€ – Por kjo nuk varet nga qeveria dhe as nga shoqata e naftëtarëve po varet nga organizata prodhuese OPEC”, u shpreh ai.
Kunjojmë sesi shkak i tarifave të Trump, çmimet e naftës ranë ndjeshëm javën e kaluar në nivel global, duke arritur nivelet më të ulëta që nga viti 2021.
Nafta amerikane ra me 8 për qind, duke arritur në 61.92 dollarë për fuçi në tregtinë e fundit. Kjo rënie vjen pas një tkurrjeje prej 6.6 për qind të enjten, e shkaktuar nga shqetësimet për tarifat dhe një rritje të papritur të prodhimit nga OPEC+.
Kosova shpesh herë ua ka vështirësuar qytetarëve çështjen e furnizimit me derivate. Madje në Kosovë çmimet në shumicën e rasteve janë shumë të larta e të vendosura kësisoj nga vetë kompanitë e derivateve.
Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për ulje të çmimit në furnizim, kosovarët janë detyruar shumë herë të furnizohen në Maqedoni të Veriut për shkak të çmimit më të ulët.
Mbetet të shihet nëse vendimi i fundit i ministrisë do t’ua mundësojë furnizimin me çmim më të ulët e me derivate më të kontrolluara e më cilësore./Lajmi.net/