Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare e nderon me mirënjohje gazetarin e lajmi.net, Selim Miftarin

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare sot në Ditën Ndërkombëtare të Familjes ka ndarë një mirënjohje për gazetarin e lajmi.net, Selim Miftari. Gazetari Miftari e mori këtë mirënjohje për raportimin e tij që e pati në lidhje me një person, që pretendonte se e trajtonte spektrin e autizmit tek fëmijët me preparate…

Lajme

15/05/2026 13:10

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare sot në Ditën Ndërkombëtare të Familjes ka ndarë një mirënjohje për gazetarin e lajmi.net, Selim Miftari.

Gazetari Miftari e mori këtë mirënjohje për raportimin e tij që e pati në lidhje me një person, që pretendonte se e trajtonte spektrin e autizmit tek fëmijët me preparate të dyshimta, transmeton lajmi.net.

Çmimin Miftarit ia dha Liridon Llozani, Këshilltari për Media i ministrit Andin Hoti.

“Selim Miftari është tjetër gazetar që njihet për punë hulumtuese dhe vëmendje ndaj detajeve. Shpesh sjellë në publik probleme që shumë vërehen e pak flitet për to. Më duhet me e theksu se falë raportimit të gazetarit Selim Miftari dhe më pas edhe disa mediave pas tij, ka pasur reagim institucinal, madje edhe të organeve të drejtësisë ndaj një personi jo kompetent, i cili dyshohej se privatisht kryente trajtime të dyshimta për fëmijët me spektrin e autizmit, pa licencë mjekësore me preparate që nuk janë adekuate për këtë trajtim. Prandaj mirënjohja shkon për gazetarin Selim Miftari, edhe me ftesën që të vazhdojë angazhimin edhe më tej.”, tha ai.

Pas raportimit të Miftarit në lidhje me hulumtimin e kryer mbi veprimtarinë e dyshimtë, ishin aktivizuar edhe institucionet e hetuesisë e të drejtësisë në vend.

Madje zyra në të cilën personi i dyshuar mbante takime me qytetarë të shumtë të cilëve u propozonte përdorime të barërave të ndryshme më pas është mbyllur.

Derisa institucionet e hetuesisë vazhdojnë të merren me këtë rast, raportimi i gazetarit Selim Miftari nxori në pah një punë të paligjshme e cila po zhvillohej në Gjilan./Lajmi.net/