Ministria e Shëndetësisë mban “të mbyllur” maternitetin në Preshevë

Materniteti në Preshevë, për të cilin dy Qeveritë, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës, kanë dhënë nga 50 mijë euro në janar të këtij viti në mbledhjen e përbashkët të mbajtur në Prizren, ende nuk ka filluar punën, ndonëse kanë përfunduar të gjitha punët dhe janë siguruar të gjitha pajisjet e nevojshme.

Lajme

07/11/2014 11:20

Rifunksionalizimi ka mbetur peng i mungesës së stafit profesional prej 20 vetash, doktorëve gjinekologë dhe infermiereve, për çfarë deri më tash Ministria e Shëndetësisë së Serbisë e ka injoruar kërkesën e Preshevës.

Zyrtarët e Komunës së Preshevës, por edhe drejtues të Shtëpisë së Shëndetit, nuk e dinë se kur mund të rifilloj punën materniteti, që pritet të shfrytëzohet nga qytetarët e dy komunave, Preshevë dhe Bujanoc.

Qeveria e Shqipërisë ka bërë transferimin e parave për maternitetin në Preshevë, në muajin prill të këtij viti, ndërsa Qeveria e Kosovës në muajin maj, meqë ishte dashur që transferimin e mjeteve financiare ta bënte përmes Shqipërisë ngase Banka Popullore e Serbisë nuk pranonte që ato të bëhen nga Republika e Kosovës.

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, thotë për KosovaPress, se materniteti ende nuk është hapur, meqë Ministri i ri i Shëndetësisë në Qeverinë serbe, akoma nuk është i gatshëm që të lejoj shtimin e më së shumti 20 vendeve të punës.

“Fatkeqësisht materniteti nuk ka hyrë në funksion, sepse për të funksionuar duhet që Ministria e Shëndetësisë të siguroj edhe kuadrot e profilit të gjinekologjisë dhe kuadrot e kuadrit të mesëm që do të jenë të domosdoshëm për të funksionuar materniteti në Komunën e Preshevës”, theksoi Mustafa.

Për rifillimin e maternitetit duhet të jenë shtatë mjek të gjinekologjisë, që të funksionoj në kohën e plotë prej 24 orëve, 12 infermiere të mamisë dhe një punëtor ndihmës që do të përkujdeset për pastërtinë.

Sipas Mustafës, për këto 20 vende të punës, prej korrikut akoma nuk është arritur të bëhet një takim i pushtetit vendor të Preshevës me Ministrin e Shëndetësisë së Beogradit.

“Akoma nuk është arritur që të sigurohet takimi i asnjë niveli këtu dhe vet Ministrit të Shëndetësisë, sepse kur janë në pyetje shqiptarët gjithmonë shikohen në një këndvështrim tjetër, në një kënd me të ngushtë të shikueshmërisë dhe në këtë kontest jemi në pritje të lejimit të këtyre kuadrove që të hyjë në funksion materniteti që janë investuar jo me pak se 1 milion e 300 mijë euro”, ka thënë Mustafa.

Se materniteti në Luginën e Preshevës është shumë i nevojshëm, tregon edhe Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, Mitat Sahiti, sipas të cilit prej mbylljes së tij, në vitin 1989, qytetarët e Luginës janë maltretuar duke udhëtuar për në Vranjë nga 45 kilometra për vetëm një drejtim.