Ministria e Mbrojtjes ruse: Ukraina na goditi me raketat me rreze të gjerë të SHBA-së
Rusia ka thënë se Ukraina e ka goditur me raketa amerikane me rreze të gjatë, një ditë pasi Uashingtoni i ka dhënë leje për kryerje të sulmeve të tilla. Ukraina ka përdorur Sistemin e Raketave Taktike Ushtarake (ATACMS) në sulmet në rajonin rus Brajansk këtë mëngjes, ka thënë Ministria e Mbrojtjes në Moskë. Ushtria e…
Bota
Rusia ka thënë se Ukraina e ka goditur me raketa amerikane me rreze të gjatë, një ditë pasi Uashingtoni i ka dhënë leje për kryerje të sulmeve të tilla.
Ukraina ka përdorur Sistemin e Raketave Taktike Ushtarake (ATACMS) në sulmet në rajonin rus Brajansk këtë mëngjes, ka thënë Ministria e Mbrojtjes në Moskë.
Ushtria e Ukrainës ka konfirmuar më herët se e ka sulmuar një qendër municioni në Brajansk, mirëpo nuk ka treguar nëse i ka përdorur raketat me rreze të gjatë.
Pesë raketa janë rrëzuar dhe njëra është dëmtuar, dhe pjesët e saj kanë shkaktuar zjarr në një objekt ushtarak në rajon, është thënë në një deklaratë të ministrisë ruse.
Kjo është hera e parë që raketat me rreze të gjatë janë përdorur në territorin e Rusisë, dhe sulmet janë kryer pak pasi Uashingtoni është raportuar t’i ketë dhënë leje Ukrainës për t’i përdorur sistemet ATACMS në Rusi.
Të hënën, Moska ka thënë se çdo sulm i tillë do të nxiste “një përgjigje adekuate”.
Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se sulmet janë nisur rreth orës 03:25 sipas kohës lokale.
Sipas saj, zjarri që është shkaktuar nga dëmtimi i njërës raketë është shuar shpejt dhe nuk ka viktima.
Më herët gjatë ditës, presidenti rus, Vladimir Putin i ka miratuar ndryshimet në doktrinën bërthamore të Rusisë, duke vendosur kushte të reja nën të cilat shteti mund të përdorë arsenalin e vet bërthamor.
Sipas doktrinës së re, secili sulm prej një shteti jobërthamor, që përkrahet nga një fuqi bërthamore, do të konsiderohet sulm i përbashkët ndaj Rusisë.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL