Ministria e Kulturës punësoi 11 persona pa konkurs publik
Shumica e institucioneve kulturore kanë shkelur ligjin dhe rregulloret, megjithatë në këtë drejtim prin Ministria e Kulturës, e cila ii dha Muzeut të Kosovës dhe Institutit Arkeologjik 290,000 euro për financimin e tri projekteve para se këto projekte të fillojnë.

Lajme
Kështu ka konstatuar Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, e cila kërkon një përmirësim të mëtejmë, në mënyrë që të parandalohet MKRS-ja të pësojë humbje financiare, shkruan KosovaPress.
Fushat kryesore, ku nevojiten këto përmirësime, janë planifikimi dhe ekzekutimi i buxhetit, prokurimi, subvencionet, pagat dhe mëditjet dhe sistemi i auditimit të brendshëm.
MKRS ka 17 institucione vartëse nën menaxhimin e saj, mënyra e financimit të këtyre institucioneve nuk është e rregulluar mirë dhe për pasojë, struktura e llogaridhënies dhe qeverisjes nuk është e qartë.
Raporti thotë se Ansambli i Valleve dhe Këngëve “Shota” dhe IMM Prizreni, ku thotë se kontrollet menaxheriale në këto raste kanë munguar, pra nuk kishin raportuar të hyrat e realizuara në kohën e duhur, të hyra këto që ishin 21,407 euro. Sipas raportit, shpenzimi i këtyre mjeteve ishte bërë në kundërshtim me dispozitat e LMFPP-së, ku ansambli kishte shpenzuar mjetet pa i deponuar në llogarinë e Thesarit, e IMM Prizreni kishte shpenzuar të hyrat prej 5,507 euro, duke zhvilluar procedurat e prokurimit pa bazë të mirëfilltë ligjore.
Raporti thotë gjithashtu se të gjitha institucionet vartëse raportojnë në Ministri, por afatet nuk respektohen.
Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka bërë vlerësimin e veprimeve të menaxhmentit dhe kontrolleve të zbatuara për paraqitjen dhe klasifikimin e mjeteve financiare të transferuara në institucionet vartëse gjatë 2013-ës, ku thotë se edhe pse ishte bërë shpalosja e saldove të llogarive bankare të institucioneve vartëse në PVF, Ministria në fund të vitit kishte transferuar vlerën prej 290,000 euro te Muzeu Kombëtar (MKK) dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës për financimin e tri projekteve të trashëgimisë kulturore para se këto projekte të fillojnë. Vlera e prezantuar ishte 1,085,125 euro, ndërsa shuma e saktë e buxhetit final është 1,492,769 euro, duke e nënvlerësuar për 407,644 euro.
Gjithashtu thuhet se MKRS ka shpenzuar vetëm 78% të buxhet final në vitin 2013 (87% në vitin 2012). Ky nivel i ekzekutimit të buxhetit është jo i kënaqshëm.
Ndër të tjera, raporti thotë se në vitin 2013 janë angazhuar 11 zyrtarë në administratë, të cilët janë paguar mbi bazë të kontratave për shërbime të veçanta, duke anashkaluar procesin e konkursit të hapur publik. Auditori i Përgjithshëm këtë fakt e sheh si rrezik, sepse kontratat për shërbime të veçanta janë shkelje e kërkesave ligjore. (KosovaPress)