Ministria e Infrastrukturës që dy muaj pa shef të prokurimit, nënshkrimet në kontratat e vitit 2021 të vëna para tre muajve

Ministria e Infrastrukturës ka disa muaj që është pa shef të prokurimit.

Lajme

21/01/2021 21:46

Gati të gjithë tenderët e mëdhenj në tri vitet e fund kanë pasur probleme që të realizohen nga Ministria e Infrastrukturës. Shumë nga ta kanë përfunduar në hetuesi.

Lajmi.net ka mësuar se menaxherja e prokurimit, Valmira Bllaca gjendet në pushim të lehonisë që rreth dy muaj. Fillimisht,  ajo kishte shfrytëzuar pushimin vjetor, më pas atë të lehonisë. Jo zyrtarisht është mësuar se ajo ka shkuar për lindje në Amerikë. Megjithëkëtë, emri dhe nënshkrimi i saj po figuron në kontratat e nënshkruara në vitin 2021, ani pse ajo nuk është në punë, shkruan lajmi.net.

Në dy kontratat e nënshkruara para dy javëve: “Hartimi i projekteve zbatuese për ndërtimin e shtratit të lumit”, dhe “Ekzaminimet kontrolluese për materiale dhe kualitetin e punëve, në projektet e infrastrukturës rrugore” figuron nënshkrimi i Bllacës.

Të dy këta tenderë janë shumë të dyshimtë, pasi orvateshin të realizohen që nga viti 2019, ndërkohë kanë arritur të finalizohen në fillim të janarit 2021, pas një procesi të gjatë që kompanitë dhe ministria kanë pasur në OSHP.

Më datë 6 janar 2021, prokurimi i ministrisë përmes e-prokurimit ka bërë njoftim për nënshkrimin e kontratës “Hartimi i projekteve zbatuese për ndërtimin e shtratit të lumit”. Më pas aty është publikuar edhe kontrata, në të cilën figuron që Bllaca e ka vënë nënshkrimin në të, ku datë e nënshkrimit në kontratë figuron 9 shtator 2020, pastaj figuron nënshkrimi i ministrit Abrashi, ku nuk ka datë të shënuar dhe i përfaqësuesit të kompanisë fituese, Ilmi Binkau, i vendosur më datë 06.01.2021.

Po ashtu nënshkrimi i Bllacës ndodhët edhe në kontratën “Ekzaminimet kontrolluese për materiale dhe kualitetin e punëve, në projektet e infrastrukturës rrugore” e cila është finalizuar në janar 2021. Nënshkrimi i Bllacës mbanë datën 7 tetor 2020, ndërsa i përfaqësuesit të kompanisë 6 janar 2021.

Lajmi.net ka kërkuar një përgjigje nga zyra e prokurimit të Ministrisë së Infrastrukturës lidhur më atë se kur do të emërohet një u.d i shefit të prokurimit në këtë ministri dhe se si ka ndodhur që në kontratat e vitit 2021 gjendet emri i shefes së prokurimit e cila është në pushim të lehonisë që rreth dy muaj. Kjo zyre nuk ka dashur të përgjigjet.

Lajmi.net ka mësuar se në ministri është duke u përfolur që të emërohet u.d i shefit të prokurimit,  Besim Tahiri.

Tahiri ka qenë ushtrues i detyrës së shefit të në kohën kur në këtë ministër ishte ministër, Lutfi Zharku.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 29 janar 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj sekretarit të ministrisë Xhelil Bekteshit dhe shefit të prokurimit Besim Tahirit me pretendimin se kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Tahiri, akuzohet se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit, që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin në një tender. /M.B-Lajmi.net/