Ministria e Infrastrukturës nuk lëshon pe, me çdo kusht dëshiron t’i jap edhe një tender kompanisë së zyrtarit të saj

Një skandal është duke e shoqëruar ministrinë e Infrastrukturës për tenderin “Sinjalizim dhe mirëmbajtja në rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovë”.

Lajme

03/04/2019 11:12

Ramadan Mazrekaj është zyrtar i lart për siguri rrugore në drejtorinë për Menaxhimin e Rrugëve të ministrisë së Infrastrukturës. Ai është njëri prej zyrtarëve i cili ka shkruar kriteret teknike për tenderin “Sinjalizim dhe mirëmbajtja në rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovë”, që është i ndarë në disa lote (pjesë). Një lot të këtij tenderi e ka fituar kompania e cila menaxhohet nga vëllezërit e Ramadan Mazrekaj, “Select Prima”, e cila zyrtarisht është e regjistrua në ermin e Idriz Përgjegjaj, dhëndrit (burrit të motrës) të Ramadanit Mazrekaj, shkruan lajmi.net.

Tenderi peshon mbi 2 milionë euro dhe është kornizë për tri vite.

Derisa në mars të vitit të kaluar janë nënshkruar kontrata për shumicën e pjesëve, lot 2 dhe lot 3 kanë mbetur duke u endur dyerve të “Gjykatës së tenderëve” – Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Ministria e Infrastrukturës, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Select Prima” për lot 8, ndërkohë, po pret që të nënshkruaj edhe për lot 2. Ndonëse, OSHP-ja gjeti shkelje për këtë pjesë dhe e urdhëroi ministrinë që lëndën ta kthejë në rivlerësim bashkë me lot 3, të cilën e fituan konserciumi “Arbotec” & “Malsija”, ka disa muaj që Ministria është duke e mbajtur procesin pezull dhe nuk po e respekton vendimin e OSHP-së. Si rrjedhojë shumë rrugë kanë mbetur pa mirëmbaje të sinjalistikes.

Ministria nuk e respekton urdhrin e OSHP-së

Pasi në vitin e kaluar u shpallën fituesit për të gjitha pjesët e këtij tenderi, kompania garuese, “ITIK” nga Peja e cila ka fituar disa pjesë, dhe konsorciumi i kompanive “Dorearti” & “Beni Com” u ankuan në OSHP, për pjesën e dytë dhe të tretë, duke pretenduar se u shkel ligji i prokurimit disa herë kur për lot 2 kur u shpërblye me kontratë “Select Prima” dhe për lot 3 konserciumi “Arbotec” & “Malsija”.

Paneli i OSHP-së më 17 gusht 2018, konfirmoi shkeljet dhe e urdhëroi ministrinë që këto dy pjesë të tenderit t’i kthejë në rivlerësim. Pra, paneli i OSHP-së gjeti se kompania e rekomanduar për kontratë për lot 2 “Select Prima”, nga gjithsej 27 artikuj të ofruar, 20 artikuj i ka me një të dhjetën e centit dhe këto çmime janë konsideruar si çmime jo normalisht të ulëta dhe në kundërshtim me vlerën reale të tregut ekzistues. Po ashtu është konstatuar se kompania në fjalë ka ofertuar një çmim jo normal të ulet për shenjën e kufizimit të shpejtësisë, si dhe 5 artikuj tjerë i ka nga 1 cent. Gjithashtu është konstatuar se i njëjti operator ekonomik i rekomanduar për dhënie të kontratës për lot 2, 3 dhe 8 po ashtu, ka 27 artikuj dhe 20 nga ta i ka me një të dhjetën e centit, 6 artikuj tjerë me një cent dhe një artikull e ka 47 cent. Andaj, duke u bazuar në të këto fakte, Paneli Shqyrtues kishte konstatuar se çmimet e dhëna nga “Select Prima” për këtë aktivitet të prokurimit nuk janë sipas vlerës reale të tregut në Kosovë. Po ashtu, shumë shkelje janë gjetur edhe për lot 3.

Më pas, Ministria e ka formuar komisionin e rivlerësimit dhe i ka shpall fitues përsëri të njëjtat kompani. Në OSHP përsëri janë ankuar kompanitë e njëjta me të njëjtat pretendime. Ndërkohë, OSHP-ja pasi e ka analizuar të gjithë procesin gjeti se ministria nuk e kishte përfillur vendimin e saj, dhe më 5 tetor 2018, lëshoi urdhëresë të prerë për MI-në që të zbatojë urdhrin e datës 18 gusht, dhe në afat prej 5 ditësh të njoftojë OSHP-në dhe kompanitë ankuese për hapat e ndërmarr, në të kundërtën do të gjobitej ministria, si dhe do t’i tërhiqej licenca menaxherit të prokurimit të MI-së.

OSHP, nuk ka dashur të përgjigjet për lajmi.net, nëse MI-ja e ka zbatuar urdhrin e saj. Por, mësohet se MI-ja ka arritur ta formoi një komision të vlerësimit vetëm para dy muajve,dhe që nga ajo kohë nuk ka asnjë lëvizje tjetër.

Lajmi.net ka kërkuar përgjigje nga ministria e Infrastrukturës për këtë tender, por ky institucion nuk ka dhenë asnjë përgjigje.

Kush është pronari i kompanisë “Select Prima”

Të dhënat tregojnë se kompania “Select Prima”, e cila për pronar me letra e ka Idriz Përgjegjajn, më parë në disa raste është përfaqësuar nga vet zyrtari i ministrisë Ramadan Mazrekaj dhe vëllezërit e tij, Mujë dhe Emrush Përgjegjaj dhe kjo kompani ka gjashtë vite që fiton tender në ministri të Infrastrukturës të cilët që kanë të bëjnë me sinjalistikën.

Lajmi.net ka adresuar një serë pyetjesh në adresë të Ramadan Mazrekajt, lidhur me këtë tender dhe me pronësinë e kompanisë “Select Prima”, por Mazrekaj nuk ka kthyer përgjigje.

Gjatë gjykimit të tenderi në OSHP, si përfaqësues i kompanisë “Select Prima” ishte paraqitur Emrush Mazrekaj , vëllai i zyrtarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Ramadan Mazrekajt. Kjo dëshmohet edhe nga një procesverbal i OSHP-së.

Kompania “Select Prima”, ishte hapur si biznes në emrin e Ali Aliaj, dhëndrit të familjes Mazrekaj, por ishte shuar dhe ishte rihapur përsëri më 14 gusht 2014, për t’u paraqitur si person i autorizuar Idriz Përgjegjaj, dhëndri tjetër i Ramadan Mazrekajt.

Madje, tek biznesi i parë i shuar, që ka qenë në emrin  Ali Alijaj, numri i vendosur i telefonit kontaktues ka qenë i Mujë Mazrekaj, vëllait të Ramadanit.

 

 

Kurse vet zyrtari Ramadan Mazrekaj në vitin 2013 kërkonte këshilla (në një faqe të internetit menaxhimi.com), se si të bëhej menaxher i suksesshëm. Në kërkesën e tij, bërë mësuesit të menaxhmentit që administronte këtë faqe, figuronte edhe emri i kompanisë “Select Prima” dhe e-maili i tij personal.

Ramadan Mazrekaj, pos që është zyrtar i lartë në ministri. Është edhe profesor i asocuar në Universitetin e Prishtinës. Ligji për shërbimin civil ka paraparë kufizime në këtë rast, nuk lejon që një person të ushtrojë dy funksione të shkërbimit civil në të njëjtën kohë.

Lajmi.net ka mësuar se Mazrekaj nuk shkon rregullisht në punë në ministri për shkak të angazhimit në UP. /Lajmi.net/